Lajme

26 vjeçari ishte djal i hastretit – Babai i mllefosur në Kurtin, Sveçlën dhe Vitinë

Djali i vetëm i familjes Musliu nga Gjilani, Agoni, të dielën ka vdekur pasi u hodh nga kati i katërt në Qendrën e Studentëve, e cila është shndërruar në karantinë. Agon Musliu ishte vendosur aty pasi kishte ardhur nga Gjermania.

Babi i Agonit, Naim Musliu, ka treguar se djali i tij kishte shkuar në Gjermani më 6 mars të këtij viti për t’i vijuar studimet në nivelin master. Por, ai tha se pas krijimit të gjendjes me pandeminë COVID-19, djali i vetëm i tij kishte filluar të ankohej se e ka kapluar një mërzi e madhe.

Musliu thotë se djali i tij është ankuar vazhdimisht se është mërzitur dhe dëshiron të kthehet në Kosovë, derisa tregon se kishte pasur edhe probleme me gurët në veshkë. E këto arsye nuk kanë mjaftuar që ai të mos futet në karantinë.

Babi i tij, akuzon kryeministrin në detyrë, ministrin e Punëve të Brendshme dhe atë të Shëndetësisë për vdekjen e të birit, që sipas tij, nuk i kishin marrë parasysh dokumentet që i kishin ofruar se djali i tij nuk bënë të dërgohej në karantinë.

“Djali im është Agon Musliu u nis për të magjistruar me 6 mars në qytetin e Gjermanisë Kaiserslautern…Filluan kurset në gjuhën gjermane si zakonisht dhe për 6 ditë sipas djalit qysh më ka thënë ka qenë njëri ndër studentët më të zotë në atë kurs. Djali im ka diplomuar me notën 10 në shkenca kompjuterike. Pas ndërprerjes së kursit menjëherë filluan një farë bllokade e këtij koronavirusi dhe djali im u bllokua në banesë. Pastaj filluan disa mërzi ta rrokin edhe zakonisht bisedoja më të dhe më thoshte babi diçka më ka hypur një mërzi, çka do të bëjë. Si prind që jemi kemi insistuar që të fillojë të mësojë e të mos ndërpre, ai çdo ditë e më shumë thoshte se i ka hypur një mërzi. Babi dua të kthehem, thash tash ia bëjmë qarën dhe kthehesh”, tha ai.

Pas kërkesës së të birit që të kthehet në vendlindje, Musliu potencon se ka kontaktuar kryetarin e komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, e të cilit i ka kërkuar ndihmë që ta kthejë djalin në Kosovë.

Musliu thotë se me ndihmën e Hazirit dhe të Konsullatës së Kosovës në Gjermani ka arritur që djalin ta kthejë në Kosovë, por që nuk i është lejuar që ta takojë.

Ai tregon se ditën e dytë që djali i tij është vendosur në karantinë është ankuar se ka mërzi të theksuar dhe se nuk është mirë.

“Në Prishtinë kam dal unë me e prit dhe kam tentuar me çdo kusht më disa dokumente që i kam pasur edhe duke i thënë Agon babit thuaj që ki edhe stres përveç problemeve shëndetësore në bubrek që ke pasur edhe ndoshta të lëshojnë. Nuk e lëshuan, ishin në aeroplan 147 me sa e di unë udhëtarë, 9 prej tyre i kanë dërguar në karantinë ose më mirë me thënë në katastrofë për djalin tim. Aty e kam parë që djali ditën e parë ka thënë ushqimi shumë i mirë edhe ditën e dytë një mërzi shumë e theksuar, babi nuk jam mirë. Atëherë kam kërkuar bile ndihmë prapë prej Lutes dhe Luta ka bërë gjithçka është e mundur. Por, unë me gjithë telefonatat që të bëjë diçka nuk mujta me mbërri edhe ai përfundoi. Çka është më e keqja që nuk më lanë më e pa as në aeroport as te konviktet”, thotë babai i 25 vjeçarit.

Ai tregon djali i tij nuk kishte pasur më herët stres, por kjo i ishte shfaqur pasi kishte shkuar në Gjermani për studime.

“Stres djali nuk ka pasur asnjëherë përveç kur ka shkuar atje. Dokument tjetër që thash ka pasur për veshkë, por vitin e kaluar, por edhe ata si dëshmi me tentua unë, po që me ia bashkangjitur edhe asaj stresit që me ma lëshua. Këtë e kanë dëshmuar edhe ata që kanë qenë prezent se vetëm do të rinj i kanë marrë dhe i kanë qu”, deklaron ai.

Për të birin e vetëm Agonin, Naim Musliu thotë se do të kërkojë përgjegjësi, derisa thotë se nuk ka qejf që t’i shkojë për ngushëllime kryeministri bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme dhe atij të Shëndetësisë.

“Përgjegjësi sikur që lypshin më kërkua këta shefat edhe e përsëris përmes juve prapë. Jam shqiptar kur të më vije tek dera kërkon mos me e kthye, a qejf nuk kam mem ardhë kryeministri, bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme Sveçlen dhe ministrin e Shëndetësisë, këta janë shkaktarët bashkë me bashkëpunëtoret e tyre”, tha ai.

Për vdekjen e 25 vjeçarit në Qendrën e Studentëve ka pasur reagime të shumta, ku është kërkuar dorëheqja e ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia, e ky i fundit ka thënë se e ka menduar një gjë të tillë, por që si ministër ka përgjegjësi për të zbardhur të gjithë rastin.

E Prokuroria Themelore në Prishtinë, sot ka filluar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të vdekjes së 25 vjeçarit në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button