Lajme

A janë të rëndësishëm AKR dhe Pacolli për votimin e Qeverisë së re?

Lidhja Demokratike e Kosovës po synon që brenda kësaj jave të dërgojë emrin për mandatarin te presidenti, që pastaj të thirret seanca ku votohet qeveria e re në krye me Avdullah Hotin.

Mirëpo, ajo se çka iu ka mbetur pa përfunduar ende është ujdia me kreun e AKR-së, Behgjet Pacollin, që tri ditët e fundit ka qenë temë kryesore në media.

Fillimisht, për kthimin në Kosovë nga Zvicra, pastaj për aterimin në Tiranë, e në fund për debatin se lideri i AKR-së mund të jetë kthyer në vend me ndihmën e presidentit.

Sidoqoftë, Pacolli ka zgjedhur heshtjen, derisa, në anën tjetër partia në të cilën ai udhëheq po përflitet si partner i mundshëm në koalicionin e ri.

I propozuari për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti tha dje para mediave pas nënshkrimit të marrëveshjes me AAK-në dhe Listën Serbe se edhe AKR-ja do të jetë pjesë e koalicionit. Madje, kështu shkruhet edhe në dokumentin e pajtimit LDK – AAK, ku partisë së Pacollit iu referohen si partnere.

Sot po presim që të përmbyllen marrëveshjet me partitë tjera. Nuk e dimë saktë ku është z. Pacolli, po AKR siç kam thënë dje do të jetë pjesë”, deklaroi dje Hoti kur u pyet nga mediat.

Megjithatë, me një konstatim të tillë nga i propozuari për kryeministër nuk po pajtohen nga partia e Pacollit. Këshilltari i tij, Jetlir Zyberaj është lajmëruar dje përmes Facebook’ut duke deklaruar se nuk janë pjesë e asnjë marrëveshje.

Lajmet nëpër disa media për kërkesa ministrore janë të pasakta. Ne nuk kemi biseduar asnjëherë me askënd për pjesëmarrje në qeveri dhe ndarje resorësh qeveritare”, ka deklaruar dje Zyberaj.

Kështu ai ka hedhur poshtë edhe negociatat në distancë për të cilat ka folur Arben Gashi i LDK’së.

Derisa lokacioni i Pacollit nuk është bërë publik ende nga ai, e këshilltarët e tij insistojnë se është në Tiranë, nga Kuvendi kanë bërë të ditur se nuk mund të votohet nga distanca, e nga ministria kanë paralajmëruar se do ta fusin në karantinë, nëse tenton të futet në territorin e Kosovës. Dje, madje ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla paralajmëroi edhe arrestimin e tij.

Kurdo që të zgjidhet epilogu i kësaj çështje, LDK-ja do të mund të kuptojë nëse i ka votat që i duhen për të dorëzuar emrin, e për të thirrur seancën ku votohet qeveria e re.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka 28 deputetë në Kuvend, megjithatë, dy prej tyre janë shprehur skeptik të pyetur nëse do të votojnë pro Hotit për kryeministër.

Deputetët Ardian Shala e Haxhi Avdyli që kundërshtuan mocionin e mosbesimit kanë bërë të ditur se votën e tyre do ta tregojnë ditën e seancës.

Në anën tjetër, partneri kryesor i LDK-së në qeveri, AAK-ja dje i ka premtuar Hotit 13 votat e deputetëve të kësaj partie në ditën e seancës.

Edhe Nisma Socialdemokrate që ka 4 deputetë, e do të përfaqësohet në qeverinë e re me një zëvendëskryeministër e dy ministra, do të votojë pro. Të tri këto parti, së bashku i kanë 43 deputetë.

LDK ka bërë të ditur se është dakorduar edhe me Listën Serbe, që do të thotë se kanë edhe plus 10 votat e deputetëve të tyre.

Dje ndërkaq është bërë e ditur se një deputet i minoriteteve nuk do të mund të votojë, pasi që i njëjti e ka humbur mandatin pasi që është dënuar nga Gjykata. Por, ai pritet të zëvendësohet si praktikës.

Për këtë çështje, kryeparlamentarja Vjosa Osmani sot do t’i drejtohet Gjykatës së Prishtinës me kërkesë që të informohet lidhur me vendimin ndaj deputetit Etem Arifi.

Pa votat e AKR-së, dy deputetëve të LDK’së, dhe me zëvendësimin e Etem Arifit, Avdullah Hoti mund të sigurojë 62 vota që i duhen për t’u emëruar kryeministër i ri i Kosovës.

Mbetet të shihet si do të votojë edhe deputeti i Lidhjes Demokratike Fatmir Rexhepi, që pak ditë më parë me mbledhjen që patën me Isa Mustafën në seli të partisë dha sinjale se do të votojë pro.

Burimi

Back to top button