Lajme

A mund të votojë Pacolli nga Zvicra nëse nuk vjen në Kosovë, çfarë thonë në Kuvend?

Brenda kësaj jave, deputetët e Kuvendit do të mblidhen për të votuar qeverinë e re. Mirëpo, probleme me praninë në sallë mund t’i dalin kreut të AKR’së, Behgjet Pacollit.

Derisa nga LDK’ja flasin për bashkëpunim në distancë, në Kuvend bëjnë të ditur se ende s’e kanë shqyrtuar mundësinë e votimit online. Nga KDI, në anën tjetër kanë deklaruar se rregullorja nuk e njeh praktikën e mbajtjes së mbledhjeve me korrespodencë.

Lidhjes Demokratike të Kosovës mund t’i dalë problem me votën e deputetit të AKR’së, Behgjet Pacollit, në seancën që është paralajmëruar se do të thirret brenda kësaj jave për të votuar qeverinë, ani pse partia e të njëjtit ende se ka sqaruar qëndrimin ndaj koalicionit të ri.

Kreut të AKR’së, iu është bërë e ditur pasi që mori leje për kthim në vend, se sapo të hyjë në territorin e Kosovës do të futet në karantinë në konvikte. Kjo po mbetet edhe arsyeja pse Pacolli nuk është kthyer nga Zvicra, e për këtë sot gjatë ditës i ka reaguar Qeverisë në detyrë.

“Kush jeni ju që paragjykoni votën time? Po nëse unë do ta shpallja publikisht se do të votoja pro jush – a do të më pengonit? Jo, nuk e besoj! Ju kam votuar duke besuar tek rotacioni, tek energjia e re e votuesve tuaj, tek nevoja për ndryshim, por kjo që po ndodhë ndaj meje, është zhgënjyese! Kjo është përgjigjja ndaj sjelljeve të mia ndaj jush”, ka shkruar Pacolli.

Megjithatë, mos prania e tij në Kosovë, nuk i ka ndalur kontaktet e AKR’së më Lidhjen Demokratike, që ka disa ditë që po bisedojnë me partitë për koalicionet.

Kreu i LDK’së, Isa Mustafa ka bërë thirrje mbrëmë në një përgjigje për Gazetën Express, që Pacollit të ju jepet leja për t’u kthyer në Kosovë. Me të, Mustafa thotë se kanë mundësi bashkëpunimi.

Meqë një gjë e tillë nuk ka ndodhur, partia që për ta marrë udhëheqjen e ekzekutivit duhet të sigurojë 61 vota ka paralajmëruar bashkëpunim në distancë.

Shefi i deputetëve të LDK’së, Arben Gashi ka deklaruar sot se me Pacollin kanë kontakte të vazhdueshme, teksa përmendi këtë formë të bashkëpunimit.

“Sa i përket z.Pacolli ju e dini që nëse na ka mësuar diçka çështja e koronës, ka qenë që të bashkëpunojmë në distancë, nuk e di a do të jetë prezent, po kryetari i LDK-së dhe kandidati për kryeministër kanë biseduar me të”, deklaroi ai.

Gazeta Express sot gjatë ditës ka pyetur në sekretariatin e Kuvendit, për mundësinë që të organizohet votim online për deputetët në ditën e formimit të qeverisë.

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi i ka thënë Gazetës se deri më tani nuk janë marrë me mundësinë e organizimit të votimeve në këtë formë.

“Nuk mundem me të thanë diçka lidhur me këtë temë, sepse s’jemi marrë ende me mundësinë e organizimit të votimeve online”, deklaroi shkurtimisht Krasniqi.

Paralajmërimi për votë përmes internetit nga njohësit e punës së Kuvendit po thuhet se nuk njihet në rregullore të këtij institucioni.

Agnesa Haxhiu nga KDI i ka thënë sot Gazetës Express se sipas rregullores nuk parashihen mbajtje të mbledhjeve me korrespodencë. Ajo thotë se lejohen vetëm zhvillime të punës në ambiente jashtë selisë.

“Rregullorja e punës së Kuvendit, nuk e njeh praktikën e mbajtjes së mbledhje me korrespodencë, por vetëm lejon zhvillimin e punimeve në ambiente jashtë selisë së Kuvendit”, deklaroi ajo.

Haxhiu shpjegon se janë dy opsione që mund të procedohen në kuvend që të bëhet e mundur mbajtja e punimeve në distancë.

“Janë dy opsione si mund të procedojë Kuvendi për ta bërë të mundur mbajtjen e punimeve plenare në distancë. E para është që Kuvendi të marrë vendim për shmangie nga Rregullorja e Punës që bëhet me 2/3 e deputetëve të pranishëm ose opsioni tjetër të bëjnë amendamentimin e kësaj të fundit që normalisht merr shumë më shumë kohë dhe kërkon 2/3 e votave të të gjithë deputetëve, për t’i mundësuar Kuvendit zhvillimin e punimeve plenare në distancë, pra në formë online”, ka deklaruar ajo.

LDK ka paralajmëruar se sot ose nesër do të finalizojnë koalicionet e do të dorëzojnë emrin e Avdullah Hotit si mandatar te presidenti i shtetit. Ata vlerësojnë se nuk do të kenë probleme me sigurim të votave, madje kanë deklaruar se tashmë i kanë 64 deputetë që do të votojnë pro.

Teksa AKR’ja se ka sqaruar pozicionin karshi koalicionit të ri, LDK’ja është dakorduar në parim me AAK’në, Nismën, Listën Serbe dhe minoritetet.

Votimi nga distanca po konsiderohet si opsion edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pasi që pas pandemisë, miliona amerikanë po vazhdojnë punën nga distanca, anëtarët e Kongresit mund të shqyrtojnë mundësinë e votës së legjislacionit që e lejon votimin në distancë gjatë emërgjencave të përkohshme.

Burimi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button