Lajme

AAK i jep mbështetje Ramush Haradinajt për president

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka thënë se partia që drejton Ramush Haradinaj është kundër shkuarjes në zgjedhje të reja për shkak të pamundësisë për zgjedhjen e një presidenti të ri, prandaj ka thënë se nuk guxojnë ta përjashtojnë mundësinë e përfshirjes së Partisë Demokratike të Kosovës në koalicionin qeverisës. Ai ka thënë se në KD të AAK ka zëra që Ramush Haradinaj të jetë kandidat për president të Kosovës.

Këto deklarata Gjini i ka dhënë pas përfundimit të takimit të Këshillit Drejtues të AAK-së, duke sqaruar se në këtë takim megjithatë nuk është diskutuar për përfshirjen e PDK-së në qeveri.

“AAK mendon se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje për shkak se nuk do të mund të hyjmë ta zgjedhim presidentin. Shpresojmë se partitë politike do ta gjejnë rrugën për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit. Ka thirrje në Këshillin Drejtues që kryetari Haradinaj të jetë kandidat për president edhe kryetari Haradinaj do t’i shqyrtojë me partnerët e koalicionit dhe partitë e tjera. Por duhet të gjejmë rrugë që të mos shkojmë në zgjedhje në kohë pandemie”, tha ai transmeton Reporteri.net.

“Nëse Aleanca synon që t’i evitojë zgjedhjet për shkak të mos zgjedhjes së presidentit, atëherë nuk guxojmë që ta përjashtojmë përfshirjen e PDK’së në qeveri, por nuk ka qenë në diskutim në këtë takim të Këshillit Drejtues”, ka thënë Gjini.

Përveç tjerash, Gjini ka thënë se AAK ka kritika për mënyrën se si Hoti po e drejton koalicionin, por shton se një gjë e tillë nuk nënkupton se nuk e përkrahin qeverinë dhe që do të largohen nga koalicioni.

“Kritikat e Haradinajt për procesin e dialogut, nuk nënkuptojnë largim nga koalicioni dhe nuk nënkupton mos përkrahje politike për qeverinë”, ka thënë Gjini.

Ai ka thënë se pas shërimit të Hotit do të takohen edhe me Isa Mustafën për t’i diskutuar të gjitha çështjet.

“Do të ketë ende bisedime. Kryeministri është ende në vet-izolim. Shumë shpejt do të kthehet në punë. Do të kemi diskutimet të drejtpërdrejta, pas kthimit të tij. Dialogu nuk duhet të zhvillohet pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kryetari do të bisedoj edhe me kryetarin Mustafa dhe kryeministrin Hoti.”, ka theksuar Gjini.

Back to top button