Lajme

Agon Hamza, këshilltari tjetër i Kurtit me 2005 kishte shkruar: Luffta çlirimtare e UÇK-së ka dështuar

Agon Hamza, tash këshilltar i Albin Kurtit, kryeministër në detyrë, me 2005 kishe botuar një artikull të gjatë në faqën zyrtare të VV-së.
Ai mes tjerash kishte theksuar se lufta e UÇK-së kishte dështuar.

Ja shkrimi i tij;
Reagim në debatin mbi Rambujenë

Debati mbi Marrëveshjen e Rambujesë rifilloi me daljen e librit të Shkelzen Gashit, “Marrëveshja për paqe të përkohshme”. Kurse, debati u thellua edhe më, pas botimit të intervistës që Shkelzeni e ka bërë me ish komandantin e UÇK-së, Sujelman Selimin- Sulltani. Tani filluan të shkruajnë e të reagojnë të gjithë. Anëtarë të partive, këshilltarë të liderëve partiakë, aktivistë… etj, etj. Të gjithë duke mbrojtur qëndrimet e tyre.
Por, “debati Rambuje” i ka kaluar kornizat e të qenurit debat ekskluziv mbi Rambujenë. Kjo ka ndodhur sepse intervistat e Shkelzenit kanë nxjerrur në pah shumë gjëra të paditura deri tani.Arsyeja e rifillimit të këtij debati është intervista me Sulejman Selimin.

Ishte pikërisht Sulltani, ai që i tregoi të gjitha të metat e luftës çlirimtare. Sulltani tregoi për mungesën e organizimit brenda UÇK-së, për mosekzistimin e hierarkisë ushtarake, për mosekzistimin e një qendre komandimi, koordinimi, logjistike dhe furnizimi. Sulltani tregoi edhe për konspiracionet e Shtabit të Përgjithshëm dhe Drejtorisë Politike të UÇK-së.Por, mua më duket se pjesa më e rëndësishme e kësaj interviste është pohimi i Sulltanit se lufta ka mundur të vazhdohet dhe se UÇK-ja ka mundur ta çliroj Kosovën dhe ta bëj shtetin.Pra, lufta çlirimtare ka dështuar për shkak të konspiracioneve të Shtabit të Përgjithshëm dhe Drejtorisë Politike të UÇK-së, të cilat e kanë pamundësuar dhe sabotuar organizimin e saj.

Kjo ka ndodhur sepse siç po shihet, qëllimi i anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Drejtorisë Politike nuk ka qenë çlirimi i Kosovës, por interesat personale dhe ambiciet e sëmura politike. Nevojitet njëfarë logjike e thjeshtë për të konkluduar se ata njerëz nuk janë inkuadruar në UÇK për ta çliruar Kosovën, por janë inkuadruar në UÇK vetëm për interesa personale – për një grimë pushtet. Siç thotë Shkelzeni, “UÇK-ja ka qenë parti e armatosur politike”. Qëllimi madhor është sakrifikuar për ca interesa të pista dhe të gërditshme.

Prandaj ata njerëz (pra, ai grup shokësh) vazhdojnë të jenë të tillë!Lufta çlirimtare nuk fillohet vetëm sa për të thënë se kemi filluar luftën. Ajo fillohet për tu çliruar. Njëri ndër kushtet esenciale për suksesin në luftë është organizimi i saj. Gjë që në Kosovë nuk ka ndodhur. Lufta ka qenë totalisht e paorganizuar. Nuk ka pasur komandë të përgjithshme; nuk ka pasur koordinim ndërmjet Zonave Operative; nuk është ditur se a po zhvillohet luftë guerile apo frontale… E të gjitha këto mangësi, që kanë prodhuar pasoja fatale, kanë dërguar në dështimin e luftës çlirimtare – nënshkrimin e Marrëveshjës së Rambujesë. Arsyeja e mosorganizimit të luftës, sipas Sulltanit, ka qenë frika e anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Drejtorisë Politike nga rivaliteti i mundshëm. Ec e dije tani a kemi bërë luftë çlirimtare, apo i kemi spastruar hesapet (?!) me njëri tjetrin!

Kusht tjetër jashtëzakonisht i rëndësishëm për suksesin në luftë është përkrahja e popullatës. Në librin e famshëm “Luftimi Guerill”, Che Guevara thotë “të bësh luftë guerile pa përkrahjen e popullsisë, do të thotë të shkosh drejt humbjes së pashmangshme”. UÇK-ja e ka pasur përkrahjen e popullit të Kosovës. Por, “grupi i shokëve nga Shtabi i Përgjithshëm dhe Drejtoria Politike” nuk e kanë pasur përkrahjen e popullit. Sulltani thotë se disa prej njerëzve që thonë se kanë qenë në Shtabin e Përgjithshëm ai nuk i ka njohur dhe nuk e ka ditur se ata janë anëtarë të Shtabit. Pra, Komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së nuk e ka ditur se kush është anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Si mund të përkrahet Shtabi i Përgjithshëm pa ditur se cilën janë njerëzit të cilën e përbëjnë atë Shtab?

Problemi tjetër i UÇK-së ka qenë jokonsekuenca në kërkesa. Fillimisht, UÇK-ja është deklaruar se do të luftojë për bashkimin kombëtar. Më pas, kërkesa është rekuktuar në pavarësi të Kosovës, për të përfunduar me nënshkrimin e autonomisë në Rambuje. E ky reduktim i kërkesave dëshmon për synimet dhe qëllimet e “grupit të shokëve të Shtabit të Përgjithshëm dhe Drejtorisë Politike”. Njerëz pa parime, të cilët i lëkundë një grimë pushtet. Apo, edhe nëse ndonjëherë (rastësisht) kanë pasur parime, karierizmi i sëmurë i ka bërë që ti braktisin ato. Për të filluar luftën, duhet ditur minimumi ekzistencial i kërkesave. Ushtarët duhet ta kenë të qartë për çka po luftojnë, ndërsa populli duhet ta ketë të qartë pse është nisur lufta, me qëllim të përkrahjes gjithëpopullore dhe masovizimit të saj.

Nëse mund të thuhet, UÇK-ja ka pasur tri gjenerata të ushtarëve. Gjenerata e parë ka filluar luftën për bashkimin kombëtar (deri në vitin 1998). Gjenerata e dytë është inkuadruar në UÇK për pavarësinë e Kosovës (1998 – mars 1999). Ndërsa, gjenerata e tretë (pas marsit 1999) ka luftuar për autonominë e Kosovës brenda Jugosllavisë. Ndërsa, politika e UÇK-së është përcaktuar nga Shtabi i Përgjithshëm dhe Drejtoria Politike e saj. Atëherë, sipas kësaj logjike, ushtarët e UÇK-së, të cilët kanë luftuar me aq vullnet dhe guxim, kanë qenë vetëm vegla të Shtabit të Përgjithshëm dhe Drejtorisë Politike, për realizimin e interesave të tyre të pista. Guximi, sakrifica dhe dëshira për të luftuar për shtetin e Kosovës, janë keqpërdorur në mënyrën më mizore të mundshme nga njerëzit të cilët sot thonë së e kanë çliruar Kosovën.

Pranimi i ftesës për të shkuar në konferencën e Rambujesë (që nënkupton edhe pranimin e dhjetë pikave të panegociueshme, pika e katërt e të cilave thotë se palët në konflikt zotohen për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Jugosllavisë), ka qenë edhe fundi i luftës çlirimtare. Në fakt, Marrëveshja e Rambujesë nuk e njeh luftën çlirimtare të UÇK-së. Sipas Marrëveshjes së Rambujesë, në Kosovë ka pasur konflikt të armatosur. Kryesues i delegacionit shqiptar në Rambuje ka qenë shefi i Drejtorisë Politike të UÇK-së. Çfarë situate bizarre!

Marrëveshja e Rambujesë kombin shqiptar e redukton në bashkësi nacionale. Ky parim i Marrëveshjes së Rambujesë, na pamundëson shfrytëzimin e të drejtës së vetëvendosjes. Akti Final i Helsinkit, i cili merret parasysh në Marrëveshjen e Rambujesë, të drejtën e vetëvendosjes e njeh vetëm për popujt, e jo për bashkësitë nacionale, ashtu siç jemi ne juridikisht.

Në këtë marrëveshje ekziston një dizpozitë për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Në kapitullin 8, neni I, alineja 3 thotë: “Tri vite pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, do të thirret një mbledhje ndërkombëtare për të determinuar një mekanizëm për një vendosje(zgjidhje) finale për Kosovën, në bazë të vullnetit të popullit, të mendimeve të autoriteteve relevante, të përpjekjeve të secilës palë në lidhje me implementimin e kësaj marrëveshjeje dhe të Aktit Final të Helsinkit, dhe që të ndërmirren vlerësimet e përgjithshme mbi implementimin e kësaj marrëveshjeje duke i konsideruar propozimet nga cilado palë për masat shtesë”. Mirëpo, kjo dispozitë e përjashton referendumin. Sepse këtu merret parasysh edhe Akti Final i Helsinkut, sipas të cilit ne nuk kemi të drejtë për vetëvendosje. Sipas Marrëveshjes së Rambujesë, zgjidhja e statusit përfundimtar, duhet të bëhet në kuadër të shtetit Jugosllav.

Delegacioni shqiptar në Rambuje ka pranuar këtë ofertë. Ka pranuar defaktorizimin e shqiptarëve karshi institucioneve ndërkombëtare. Ai ka hequr dorë nga e drejta themelore – nga e drejta për vetëvendosje, që nënkupton heqjen dorë nga liria (nga krijimi i shtetit kombëtar). Ai delegacion e ka krijuar pamundësinë e krijimit të shtetit të Kosovës. Marrëveshja e Rambujesë nuk është çështje interpretimesh të ndryshme. Nënshkrimi i Marrëveshjes së Rambujesë ka qenë fatal për krijimin e shtetit të Kosovës. Është Marrëveshja e Rambujesë ajo e cila do ta pamundësojë krijimin e shtetit të Kosovës në kufinjtë ekzistues.

Mosorganizimi i luftës çlirimtare, prioriteti i interesave të flliqura dhe të gërditshme personale karsi atyre kombëtare, kanë sjellur deri te nënshkrimi i saj. Nënshkrimi i Marrëveshjes së Rambujesë nuk ka qenë pasojë e raportit të forcave– dobësisë së forcave të UÇK-së karshi ushtrisë jugosllave. “Populli e çliron vetveten”, thotë Che Guevara. Njëri prej mësimeve të tij nga Revolucioni Kubanez është se “forcat popullore mund ta fitojnë luftën kundër ushtrisë”./gazetanewborn

Back to top button