Lajme

Alma Lama: Avdullah Hoti me maturinë e tij e nxori vendin nga kriza

Kandidatja e LDK-së për deputete, Alma Lama, ka folur për synimet që ka kjo parti në politikën e jashtme nëse vihen në pushtet.

Ajo ka përsëritur qëndrimin e Avdullah Hotit se dialogu me Serbinë duhet me doemos të përfundojë më njohje reciproke, njofton Klan Kosova.

Por, ajo tha se për t’u arritur kjo duhet unifikim i partive politike dhe se për këtë çështje LDK është e gatshme të bashkëpunojë me subjektet tjera.

“LDK ka qëndrim të qartë për dialogun, por për të hyrë duhet të përgatiten kushtet. Në radhë të parë duhet të arrihet konsensusi i brendshëm politik ndërmjet partive politike shqiptare që në dialog me Serbinë të shkohet të bashkuar dhe të merret maksimumi. Kjo temë të mos bëhet pjesë e politikës së brendshme dhe pjesë e luftës për pushtet sepse do të ishte shumë e dëmshme.”

“Dialogu duhet të bëhet në bashkëpunim të plotë me SHBA-në dhe BE-në dhe këta partnerë duhet të jenë në harmoni mes vete. Në finale duhet të arrihet një marrëveshje përfundimtare, e cila siguron njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Lama në Info Magazine ka thënë se Hoti me qetësinë dhe maturinë e tij ka zgjidhur “krizën e politikës së jashtme duke shkuar në Shtëpinë e Bardhë dhe nënshkruar një marrëveshje që për të gjitha elementet e saj është pozitive”.

Ndërkaq, vendimin për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem që e kundërshtoi BE-ja, Lama tha se tregon sovranitetin e vendit në vendimmarrje edhe pse kjo ishte pjesë e marrëveshjes me SHBA-në.

“Kosova është shtet sovran dhe e dëshmon që është sovran në vendimet e saj dhe është në interesin e saj njohja e Izraelit dhe hapja e ambasadës në Jerusalem. Kosova s’është pjesë e BE-së dhe s’e ka për obligim ta ndjekë politikën e saj për jashtë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button