Lajme

Arben Vitia reagon pas nisjes së hetimeve ndaj tij nga Prokuroria e Shtetit

Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se nuk është njoftuar zyrtarisht nga Prokuroria e Shtetit, për nisjen e hetimeve për tenderët e iniciuar nga Ministria e Shëndetësisë gjatë periudhës së tij në krye të saj.

Në një deklaratë për media, Vitia ka vlerësuar se në muajin maj, kur ende shërbente si ministër i Shëndetësisë, kishte dërguar kërkesë në drejtim të autoriteteve shtetërore për hetimin e të gjitha procedurave tenderuese të ndjekura nga zyra e prokurimit të Ministrisë përgjatë periuedhës së pandemisë.

“Unë nuk jam i njoftuar zyrtarisht se është ngritur ndonjë procedurë hetimi per temën në fjalë. Ajo që mund të them është se nga fillimi i procedurave të tenderimit në kohën e pandemisë, Ministria e Shëndetësisë ka dërguar kërkesë në Autoritetin e Konkurences dhe Policinë e Krimeve Ekonomike që të hetohet secila procedurë e tenderimit pa paragjykim dhe pa përjashtim”, ka thënë sot Vitia.

Ish-ministri Vitia është shprehur i lumtur për nisjen e hetimeve ndaj tenderëve të dhënë nga Zyra e Prokurimit të MSh-së gjatë periudhës së tij në krye të këtij dikasteri qeveritar.

“Prandaj jam i lumtur që ky proces ka filluar dhe shpresoj të mos ketë asnjë gjetje, por për secilën gjetje nga organet kompetente, bëjë thirrje të merren të gjitha masat për secilin individ pa perjashtim dhe secilën procedurë që mund të ketë probleme të tilla”, ka deklaruar Vitia.

Prokuroria e Shtetit njoftoi dje se disa kontrata të prokurimit publik të iniciuara nga Ministria e Shëndetësisë gjatë periudhës së ish-ministrit Arben Vitia, janë nën hetime.

Tenderët, për të cilat raportoi Gazeta Insajderi në fillimin e fazës së pandemisë në Kosovë rreth gjashtë muaj më parë, e implikojnë Ministrinë e Shëndetësisë në procedura të dyshimta të prokurimit për disa kontrata të lidhura me firma private.

Përmes një serie shkrimesh, Insajderi ka dëshmuar se si përmes procedurave emergjente nga zyra e prokurimit të MSh-së, fituan kontrata të majme kompani të afërta me ish-ministrin Vitia e firma të mistershme, të cilat sipas të dhënave publike, gjatë asaj kohe kishin më pak se tre punëtorë të regjistruar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button