Lajme

Çka i lejohet e çka jo Kadri Veselit gjatë qëndrimit në Kosovë

Ish- kryeparlamentari dhe ish-themeluesi i UÇK-së, Kadri Veseli është liruar nga Gjykata Speciale për një vizitë urgjente për të parë babanë e tij i cili është në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Mitrovicës.

Videot që qarkulluan dje në mediat kosovare, tregonin pamjet ku Veseli shihej nën masa të rrepta sigurie, përfshirë Policinë e EULEX-it.

Gjykata Speciale nuk ka dhënë detaje se sa ditë do të qëndroj ai në Kosovë, por sipas Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, gjykatësi vendos dhe cakton kufizimet se çka ai lejohet të bëjë gjatë kësaj vizite në Kosovë.

Në një prononcim për Periskopin, Miftaraj tha se në rast si ky, Kadri Veselit i ndalohet çdo lloj prononcimi për Gjykatën Speciale, politike dhe të ketë takime më dëshmitar.

“I ndalohen prononcimet për Gjykatën Speciale, politike dhe afrimi apo takimi me dëshmitarë. Veselit i lejohen vizita familjare por assesi publike”, tha Miftaraj.

Sipas tij, çdo rast është individual dhe vetëm gjykatësi vendos rreth çështjes.

Informacionin për vizitën e Kadri Veselit në Kosovë e ka konfirmuar edhe Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep.

Madje Griep sot u ka thënë mediave se nuk mund të japin më shumë detaje lidhur me atë se sa kohë Veseli mund të qëndrojë në Kosovë.

“Për arsye operacionale dhe për të respektuar privatësinë e Z. Veseli, ne nuk mund të japim ndonjë informacion shtesë mbi vizitën e kujdestarisë”, tha Griep, shkruan Periskopi.

Kujtojmë se në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, u arrestuan dhe u dërguan në Hagë katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe Rexhep Selimi./Periskopi/

Back to top button