Lajme

Dëshmitari: 26 vjeçari nuk dëshironte të futej në konvikt për shkak të problemeve shëndetësore

Një 26-vjeçar nga Gjilani është hedhur nga kati i katërt sot në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, e cila po shfrytëzohet si karantinë. Menjëherë pas rastit në vendin e ngjarjes ka dalë Ekipi Mjekësor i Forenzikës i cili e ka dërguar në QKUK, ku edhe ka ndërruar jetë.

26-vjeçari kishte ardhur dje nga Gjermania dhe kishte rezistuar të futej në karantinë për shkak të problemeve shëndetësore.

Kjo është bërë e ditur për KosovaPress nga një dëshmitar i cili po ashtu është në karantinë në Qendrën e Studentëve.

“Ne ishim nëpër dhoma, ku duhet të qëndrojmë si zakonisht. Papritmas vjen një punëtor i imi pasi që ne jemi një staf që kemi ardhur ditën e enjte dhe më tha: eja, shiko çfarë ka ndodhur. Kur u afrova te dritarja, e pash që kishte kërcyer nga kati i katërt i konviktit numër shtatë një person. Personi që ka kërcyer nga qendra e konvikteve ka ardhur dje nga Gjermania. Ai ka rezistuar që të mos futet në konvikt për shkak se sipas informatave ka pasur probleme shëndetësore. Ai ia ka treguar dokumentet policisë për problemet që ka, por askush nuk është marrë me kërkesën e tij”, tha ai.

Ndërsa, sipas Gëzim Mustafës, mjekut kujdestar në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike dhe Universitare të QKUK’së, 26-vjeçari ishte sjellur në Emergjencë pa shenja jete dhe se sipas tij, gjasat janë shumë të mëdha që ai ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes për shkak të plagëve vdekjeprurëse që ka pasur.

“Rreth orës 17:30 në Qendrën Emergjente është sjellë me urgjencë një pacient i ri i moshës 26-vjeçare, pa shenja jete. Faktikisht sipas asaj që ne kemi vlerësuar pacienti ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes si pasojë e lëndimeve që ka pasur, të rënda vdekjeprurëse. Në pranim pacienti ka qenë pa shenja jete me gjakderdhje nga veshët, hunda dhe goja. Prej lëndimeve të dukshme që ne i kemi parë kanë qenë këto mirëpo, shkaktarin definitiv të vdekjes fjalën e ka ekspertiza mjeko-ligjore prej të cilëve ne edhe kemi kërkuar ekspertizën e tyre. Sipas të gjitha gjasave pacienti ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes dhe ka ardhur këtu pa shenja jete dhe vdekja e tij është konfirmuar rreth orës 17:45”, ka thënë Mustafa.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button