Lajme

Detaje për mjekun popullor nga Gjilani që u arrestua pasi tha se zbuloi ilaçin kundër COVID-19

Të mërkurën në Gjilan është arrestuar i ashtuquajturi mjeku popullor, Kadrush Abazi, i cili po pretendon se ka gjetur ilaçin kundër COVID-19.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli në një lidhje direkte ka dhënë detaje lidhur me këtë rast

Shkencëtarët më të njohur nga Amerika, Kanada, Izraeli dhe në Europë nuk po munden ta gjejnë ilaçin për shërimin ndaj koronavirusit, ata po thonë se vaksina është akoma në fazën testuese dhe pritet që edhe disa muaj të lëshohet për përdorim, por ka dikush nga Gjilani po thotë se e ka gjetur ilaçin ndaj COVID-19.

Një mjek popullor nga Gjilani po pretendon se ka gjetur ilaçin për shërim nga koronavirusi, madje mjeku Kadrush Abazi po kërkon vullnetarë për ta provuar barin, që ai pretendon se e shëron COVID-19.

E për këtë rast ka dhënë detaje edhe nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli.

Ismajli tha se tashmë Prokuroria e Shtetit ka bastisur lokacionin ku mjeku popullor pretendonte se ka gjetur ilaçin kundër koronavirusit.

“Edhe në këto situata ka individë të caktuar që mundohen t’i shfrytëzojnë për përfitime personale. Për fat të mirë me Këshillin e fshatit Pogragjë dhe institucioneve të shtetit është lokalizuar personi në fjalë. Inspektorët tanë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit kanë bastisur lokacionin ku ai pretendon se ka bërë një ilaç për shërimin e COVID-19 dhe në këto momente që po flasim hetuesia dhe Prokuroria janë duke e bërë punën e tyre”, tha Ismajli.

Ai tutje theksoi se sipas informatave të deritanishme, nuk është numër i madh i qytetarëve të cilët kanë shkuar tek mjeku popullor për ilaçin të cilin ai pretendon se e ka zbuluar.

Derisa bëri të ditur se gjatë ditës së sotme do të zbardhen të gjitha detajet e këtij rasti nga institucionet përkatëse.

“Nuk ka nevojë për shqetësim dhe sipas informacioneve të para nuk është numër i madh i qytetarëve që kanë frekuentuar këtë të ashtuquajtur mjek. Kjo për shkak se ne vazhdimisht kemi qenë në kontakt me këshillat e lagjeve dhe çdo informacion dhe detaj që ka mundur të ndodhë, është lajmëruar Shtabi Emergjent në Gjilan dhe janë ndërmarrë masat”, ka deklaruar Ismajli.

Mjeku Abazi kishte publikuar në Facebook recetën e famshme, për ta bërë më të besueshme zbulimin e tij ai ia kishte bashkangjitur një vendim të Ministrisë së Tregtisë, ku thuhet se atij ju njihet patenta për një ilaç bimor që shëron bajamet dhe e lidhte atë me COVID-19.

Por, i gjithë ky hov nga mjeku popullor nga Gjilani rezultoi me arrestim dhe dërgim për 48 orë burgim nga Policia e Kosovës.

Prokuroria Themelore në Gjilan e ka ndaluar mjekun popullor nën dyshimin për veprën penale ‘Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’.

Përveç arrestimit të tij, policia ka konfiskuar edhe barin dhe do të dërgohet për analizë në Institutin Bujqësor të Kosovës

Kujtojmë se situata në Kosovë po bëhet më alarmante pasi po kalon në një përballje jo të lehtë kundër koronavirusit, ku deri tani ka shkuar në 423 numri total i të prekurve dhe 10 persona kanë vdekur nga COVID-19./Express

Burimi

Back to top button