Lajme

Do të ishte e çuditshme nëse ndodh kjo në Washington mes Serbisë e Kosovës

Eksperti i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Charles Kupchan, beson se në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë, mund të dalin me një marrëveshje paraprake, që i hapë rrugë marrëveshjes finale.

Në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Kupchan, tha se beson se një takim i këtij formati, do të ishte e çuditshme që të organizohej në rast se gjithsecili, në fund, do të kthehej në shtëpi pa pasur çfarë të prezantojë.

Ai ka thënë se shumë gjëra po bashkohen për të përcaktuar pistën për takimin.

“Njëra është ndryshimi i qeverisë në Kosovë ku e kishit kryeministrin (Albin) Kurti, një person që ishte më ngurrues sa i takon dialogut dhe që nuk ishte i gatshëm që të largonte sanksionet tregtare që ishin vendosur ndaj Serbisë. Ne ende nuk e dimë saktësisht se ku qëndron në disa çështje të ndryshme kryeministri i ri, zoti (Avdullah) Hoti. Ai ka bërë një deklaratë që dukej se shfaqte distancë mes tij dhe presidentit (Hashim) Thaçi, por Thaçi qartësisht vazhdon të jetë nën kontroll dhe në udhëheqje të negociatave me Beogradin. Pra, një çështje është se ju keni një ndryshim të qeverisë dhe ju keni edhe largimin e tarifës, që hapin derën për të lëvizur”, ka thënë ai.

Sipas tij, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun, Richard Grenelli ka lënë pozitën e ambasadorit në Gjermani dhe ka më shumë kohë dhe energji që t’ia dedikojë Ballkanit, duke shtuar se është duke u futur qartësisht në atë çështje.

“Mendoj se presidenti (Donald) Trump, do të ishte i lumtur që të kishte një fitore, një lloj përparimi diplomatik në orën e tij, sepse ai nuk ka pasur shumë sukses në diplomaci”, ka thënë ai.

Ai tutje ka folu edhe për rolin e BE-së dhe SHBA-së në këtë proces.

“Mendoj se jemi dëshmitarë sesi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë është duke u shndërruar në një grackë, që do ta cilësoja si pika më e ulët e raporteve mes SHBA-së dhe BE-së në shumë dekada, mbase që nga Lufta e Dytë Botërore. Nuk është sekret që administrata e presidentit (Donald) Trump ka marrë një pikëpamje në raport me Evropën që shumica e evropianëve e konsiderojnë të vështirë edhe kur bëhet fjalë për tregti, ndryshime klimatike apo edhe marrëveshja bërthamore me Iranin. Dhe Grenell, derisa ishte ambasador në Gjermani, ishte gati person ‘non-grata’ në Gjermani sepse shumica e gjermanëve e konsideronin atë të padobishëm dhe thjesht nuk mund të mbështetësin në mënyrën se si ai kryente punët”, thotë ai.

Kupchan tutje ka shtuar se dialogu Kosovë-Serbi është duke luajtur një element tjetër në marrëdhëniet joarmiqësore në mes të SHBA-së dhe BE-së. Sipas tij, në këtë proces ka dallime të mendimeve mes dyja vendeve.

Duke folur për takimin e 27 qershorit në Washington, ai ka thënë se do të ishte e befasishme që nga ai takim do të dilej me një marrëveshje.

Sipas tij, këto lloj arritjeje zakonisht nuk shfaqen brenda natës.

“Mendoj se kjo, sidomos është e vërtetë në një rast sikur të Kosovës dhe Serbisë, ku duhet që të kryen shumë detyra të shtëpisë, për të bërë gati popullatën e brendshme, përfshirjen e parlamentit si dhe krijimi i mbështetjes së brendshme për marrëveshjen. Pra, më shumë kjo është për të bërë gati tavolinën për të ecur përpara, por do të shohim. Nga çfarë ka thënë (Richard) Grenell, ata duan që t’i fokusojnë këtu bisedime më shumë në lidhje ekonomike sesa kompromise politike. Kjo do të ishte konsistente me qasjen e administratës së presidentit (Donald) Trump në raport me konfliktin palestinezo-izraelit, ku fillimisht janë fokusuar në ndihmën ekonomike për palestinezët, pra duke krijuar kushte ekonomike për të arritur paqen. Synimi këtu është që, le të përmirësojmë ekonominë në Kosovë dhe Serbi, t’iu gjejmë njerëzve punë të mira dhe nëse kjo ndodh, do të jetë më e lehtë që të bëhet një marrëveshje politike”, thuhet në njoftim.

Kupchan ka thënë se nuk është ithtar i shkëmbimit të territoreve, por se sipas tij, nëse kjo ofron zgjidhje dhe përafrim mes shteteve, mund të jetë pjesë e diskutimit.

Source link

Back to top button