Lajme

Dosja ‘Top-Secret’/ Kina të bëhet gati për një luftë me SHBA

Pekini mund të përballet me një valë “armiqësie” në përfundim të pandemisë që mund të kulmoje në “një përballje të armatosur” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të paktën kështu thuhet në një raport të brendshëm nga Sigurimi i Shtetit në Kinë, i përgatitur nga Instituti Kinez për Marrëdhënie Ndërkombëtare Bashkëkohore, detajet e të cilit u publikuan nga agjencia Reuters.

Reuters thekson se nuk e kanë parë raportin në fjalë, por u është përshkruar nga njerëz të cilët kanë njohuri direkte rreth këtyre zbulimeve. Në raport thuhet gjithashtu se kriza mes dy vendeve mund të jetë e krahasueshme me reagimin e botës në ngjarjet e dhunshme të vitit 1989 në sheshin Tiananmen.

Po ashtu, Qendra Kineze e studimit paralajmëron se ofensiva ndaj Pekinit kërcënon që të komprometojë marrëdhëniet me SHBA-të ndërsa sugjeron se qeveria kineze duhet të përgatitet për skenarin më të keq në të cilin përfshihet edhe mundësia e një përplasjeje ushtarake mes dy fuqive globale. Kina gjithnjë e më shumë po vihet në shënjestër të Perëndimit pasi akuzohet se ka reaguar vonë apo edhe ka fshehur nisjen e pandemisë së koronavirusit.

Ditët e fundit, presidenti amerikan Donald Trump, duke u përballur me një fushatë më të vështirë rizgjedhjeje pasi koronavirusi ka marrë dhjetëra mijëra jetë amerikanësh dhe shkatërroi ekonominë e SHBA-ve, ka shtuar kritikat e bëra në drejtim të Pekinit duke paralajmëruar tarifa të reja për Kinën.

Administrata e tij, ndërkohë, po shqyrton masat “hakmarrëse” kundër Kinës për pandeminë, thanë zyrtarët.

Në Pekin besohet gjerësisht se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që të frenojnë një Kinë në rritje, e cila është bërë më e sigurt globalisht ndërsa ekonomia e saj është rritur.

Burimi

Back to top button