Lajme

Dyshime të forta se 38 vjeçarja nga Istogu nuk vdiq nga koronavirusi

Në emisionin e sotëm në “Drejtësia në Kosovë” u trajtuan dy vdekje të cilat në polici po hetohen si vdekje të dyshimta ndërsa ende nuk ka ndonjë të dhënë të saktë apo raport përfundimtar të cilat zbardhin këto raste.

Emisioni i sotëm trajtoi rastin e 26 vjeçarit nga Gjilani, Agon Musliu i cili vdiq javën e kaluar në Qendrën e Studentëve dhe dyshimet janë se i njëjti kishte rënë nga kati i pestë i konviktit numër 7.

Gjithashtu u trajtua edhe vdekja e dyshimtë e 38 vjeçares nga Komuna e Istogut, Sevdikje Kukleci, e cila pas një intervenimi në abdomen vdiq e më pas u tha se e njëjta ishte e infektuar me coronavirus.

Dyshimet se e njëjta nuk ishte e infektuar me coronavirus i kishte ngritur familja pasi që dyshojnë se gruaja vdiq nga mostrajtimi i duhur i stafit mjekësor në Spitalin e Pejës.Motra e Sevdijes, Fatime Salihi ka rrëfyer për ekipin e DNK-së për dyshimet e saj.

“Deri te operimi ka ardhur pasi që gjatë trajtimit në Spitalin e Pejës nuk ka pasur trajtim adekuat në Pejë, për lukth që realisht ish dashtë me pas incizim të lukthim. Por më 9 prill ka qenë festë dhe vikend dhe deri të martën ska mujtë me bo incizimin dhe gjatë këtyre ditëve i ka shpërthyer i thati në lukth dhe i ka infektuar edhe organet e tjera të motrës”, ka rrëfyer motra.

Ajo shton se nuk ka pasur asnjë simptomë të coronavirus.

“Pas gjendjes së keqe që e ka pasur QKUK ka ndërhyrë në operacion. Mostra për COVID-19 i është marrë pak para se të hyjë në operacion. Nuk ka pasur asnjë simptomë për coronavirus as në spitalin në Pejë as në QKUK. Mostra i është marrë duke pasur parasysh gjendjen, pas operacionit dhe pas qëndrimit të saj në spital ka ardhur edhe rezultati se ajo ka qenë e infektuar me COVID-19”, shtoi ajo.

Tutje, ajo shton se intervenimi që nuk i është bërë në Spitalin e Pejës ka ndikuar në gjendjen dhe më pas vdekjen e motrës.

“Krejt simptomat që i ka paur kanë qenë për dhimbje lukthi. Asnjëherë nuk është dyshuar për COVID-19. Ndoshta nisem prej asaj që intervenimi me kohë në Pejë nëse ata nuk kanë arrit është dashtë me transferu në Prishtinë dhe keqësimi i gjendjes ka ardhur deri te vdekja e saj”, shtoi ajo.

Dyshimet se motra nuk i ishte infektuar me coronavirus, Fatimja thotë se i përforcoi pasi ishte kryer edhe testimi i kontakteve.

“Realisht në momentin që është shpallur pozitiv, e kemi pranuar sepse u kemi besuar institucioneve por pas testimit të kontaktit me të që kanë qenë familjarë apo staf mjekësor kanë dalë gjithë negativ dhe aty kanë lindur dyshimet që motra nuk ka pasur coronavirus. Nuk kemi bërë ne kërkesë por pas deklaratave që kemi shprehur prokuroria e Pejës ka marrë iniciativë me u marë me rastin dhe për ta zhvarrosur trupin. Ende jemi në pritje të raportit”, shtoi ai.

Drejtori i Departamentit të Hetimeve në Policinë e Kosovës, Riza Shillova, ka treguar për hetimet ndaj këtij rasti.

“Është rasti i cili me iniciative dhe kërkesë të familjarëve se e njëjta nuk ka vdekur si pasojë e infektimit me coronavirus ata kanë kërkuar hetim të mëtutjeshëm. Është bërë obduksioni i trupit, rasti është hapur si mostrajtim i duhur mjekësor. Ne kemi reaguar si polici, regjioni i Pejës janë marrë menjëherë me rastin”, shtoi Drejtori Shillova.

Tutje ai shtoi se ende nuk kanë marrë ndonjë raport për shkakun e vdekjes nga IML.

“Në fakt si polici nuk e kemi rezultatin, është bërë kërkesa është bërë ekzaminimi nuk e di nëse prokuroria ka marrë ndonjë rezultat. Nëse e kanë marrë raportin zyrtar nga IML i cili do të tregoj sepse është element i rëndësishëm për zbardhjen e këtij rasti. Policia e Pejës është marrë intensivisht me rastin por rasti ka kaluar në Prishtinë për shkak të kompetencës territoriale pasi e ndjera ka vdekur në QKUK”, shtoi ai.

Tutje drejtori tregoi edhe për intervistimin e personave të përfshirë në këtë rast.

“Nuk e di numrin e saktë të personave që janë intervistuar, Aq sa kam parë janë intervistuar persona që punojnë në QKMF në Istog dhe Pejë dhe persona të tjerë që ndërlidhen me trajtimin e viktimës gjatë fazave në aspektin shëndetësor, por janë intervistuar edhe familjarë”, tha Shillova.

Sipas Shillovës rasti ka kaluar në Prishtinë për shkak të zgjerimit të hetimeve.

“Rasti është fokusuar më shumë në trajtimin që ka ndodhur në Istog dhe Pejë pastaj për shkak të zgjerimit të hetimeve që të zbardhet edhe pjesa e trajtimit në Prishtinë është bërë pra edhe transferimi i lëndës në Prokurorinë në Prishtinë”, tha ai.

Në anën tjetër në një përgjigje për Drejtësia në Kosovë, Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu ka thënë se autopsia është bërë ndërsa rezultatet marrin kohë deri sa të shtjellohen.

“Që të dy rastet e cekura , jane kryer autopsitë dhe trupat i janë dorëzuar familjarëve. Kolegët të cilët kanë kryer autopsitë janë në pritje të analizave ( histopatologjike dhe toksikologjike) të cilat marrin kohe deri sa të kryhen , dhe se tani për momentin jemi duke punuar me staf esencial. Gjatë hetuesisë vetëm prokurorët e rasteve e kanë të drejtën për të dhënë sqarime”, ka thënë Gërxhaliu në një email për Drejtësia në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button