Lajme

Edhe një rast në Podujevë me Covid 19, infektohet një gjinekolog që kontrolloi pacienten nga Gjakova

Koronavirusi është kthyer sërish në Podujevë. Mbrëmë atje është konfirmuar edhe një rast i ri me COVID-19. I infektuari është një 51-vjeçar nga fshati Pollatë, por që jeton në Prishtinë.

Ai dyshohet se është infektuar nga një paciente nga Gjakova, e cila kishte qenë për kontroll në ordinancën e tij gjinekologjike në Podujevë. Gjatë kësaj kohe, ai e kishte vizituar dy herë familjen e tij në fshat, raporton Express.

Për numrin e personave me të cilët ka pasur kontakt i infektuari, gjendjen e tij dhe të familjarëve dhe burimin e infeksionit, ka dhënë detaje specialistja Bedrie Rama, e cila është pjesë e Shtabit Emergjent në Podujevë.

Rama i ka thënë Gazetës Express se hera e fundit që i infektuari e ka vizituar familjen ka qenë dita e mërkurë. Sipas saj, përveç familjarëve, ai nuk ka pasur kontakt me asnjë prej banorëve të tjerë të fshatit.

“I infektuari është me vit të lindjes 1969. Ai vjen nga fshati Pollatë, por që jeton në Prishtinë. Kohë pas kohe edhe e viziton familjen atje dhe ka një ordinancë gjinekologjike në Podujevë. Sipas informative që kemi hera e fundit që e ka vizituar familjen ka qenë të martën dhe të mërkurën. Familja e tij është gjashtë anëtarëshe. Unë kam biseduar me të dhe ka thënë që përveç me familjen, s’ka kontaktuar me asnjë prej banorëve të fshatit”, ka deklaruar Rama.

51-vjeçari dyshohet se është infektuar me COVID-19 në ordinancën e tij gjinekologjike nga një paciente nga Gjakova, e cila kishte shkuar atje për kontrollë. Mjeku nuk kishte pasur fare simptoma, por pasi pacientja që ishte kontrolluar te ai kishte dalë pozitive, ishte testuar edhe ai.

Gjendja e tij dhe e anëtarëve të familjes thotë se është e mirë dhe se deri tani nuk kanë shfaqur asnjë simptomë.

“Ai dyshohet se është infektuar nga një paciente nga Gjakova, e cila ka ardh me u kontrollu në ordinancën e tij. Doktori nuk ka pas simptoma, por pasi pacientja ka dal pozitive është testu dhe ka rezultu se edhe ai është i infektuar. Gjendja e tij dhe e anëtarëve të familjes së tij është e mirë dhe nuk kanë ndonjë simptomë”, ka deklaruar Rama për Express.

Rama thotë se janë duke e bërë një listë me personat me të cilët ka pasur kontakt i infektuari. Deri tani thotë se pjesë e kësaj liste janë nëntë persona, por se listës do t’i shtohen edhe pacientët të cilët janë kontrolluar te ai gjatë këtyre ditëve.

“Sot nuk do të bëhen testime, mirëpo jemi në kontakt me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik që gjatë ditëve në vijim të vijnë të testohen personat nga lista e kontakteve. Deri tani në këtë listë janë nëntë persona, por jemi duke i gjurmuar edhe kontaktet e tjera dhe pacientët që e kanë vizituar këtë ordinancë”, ka treguar Rama.

Rasti i parafundit me COVID-19 në qytetin e Podujevës, ishte paraqitur më 28 mars. Nga ajo ditë, deri mbrëmë nuk kishte pasur asnjë rast tjetër dhe tre personat që kishin qenë të infektuar ishin shëruar.

Ndryshe, mbrëmë janë konfirmuar edhe 26 raste të reja me koronavirus. Me këtë shifër, numri i të infektuarve në gjithë vendin shkon në 449 me 11 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Rastet pozitive janë raste kontakti nga Suhareka, Prishtina, Gjilani, Lipjani, Vitia, Leposaviqi, Kamenica, Vushtrria dhe Podujeva.

TETË TË SHËRUAR DHE NJËZET E GJASHTË RASTE ME COVID-19!Sot më 16 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë…

Julkaissut Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës Torstaina 16. huhtikuuta 2020



Burimi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button