Lajme

Fëmijëve britanikë po u shfaqet një sindrom i lidhur me koronavirusin

Mjekët britanikë kanë lëshuar paralajmërim urgjent për rritjen e numrit të fëmijëve që po pranohen në spitale më një sindrom që lidhet me koronavirusin.

Në njoftimin e mjekëve udhëheqës thuhet: “Ka rritje të shqetësimeve se një sindrom i lidhur me Covid-19 po shfaqet te fëmijët në Mbretërinë e Bashkuar. Kemi një rritje të dukshme të numrit të fëmijëve me gjendje inflamatore gjatë tri javëve të kaluara. Ata duhet të shtrihen në repartet intenzive.”

Fëmijët që po vuajnë nga ky sindrom po ankohen nga dhimbja e barkut dhe simptomat gastrointestinale, ku mund të përfshihen diarrea dhe vjellja, shkruan “Daily Mail”.

Mjekët e kanë përshkruar gjendjen misterioze të fëmijëve me sindromin e shokut helmues dhe sëmundjen Kawasaki, të cilat, kur kombinohen, shkaktojnë ënjtje të brendshme, temperaturë, ethe, dhe probleme me frymëmarrjen. Këto simptoma janë tipike edhe për pacientët e infektuar me Covid-19.

Megjithatë, disa prej fëmijëve që e kishin këtë sindrom kanë dalë negativ në testin për koronavirus, duke e ndërlikuar edhe më shumë diagnostikimin e tyre.

Zyrtarët përgjegjës shëndetësorë ende nuk e kanë adresuar këtë alarm dhe nuk kanë ofruar sqarime. Nuk dihet sa fëmijë saktësisht janë diagnostikuar me këtë sindrom dhe nëse ndonjëri prej tyre ka vdekur.

Burimi

Back to top button