Lajme

Flet infermierja kosovare e prekur me koronavirus: E përballova shumë keq

“Kur kam dalë pozitiv me Covid-19 jam distancuar nga familja, për dy javë e katër ditë kam qëndruar larg fëmijëve, për besë nuk ka qenë e lehtë por ja dolëm”. Kështu e nisë tregimin e saj një infermiere në Kosovë, nënë e dy fëmijëve, e cila qe infektuar me koronavirus, por e mposhti atë fare lehtë, sa i përket shëndetit.

E njësoj nuk mund të themi edhe për pjesën tjetër, atë emocionale, pranimit të faktit që derisa rezultati i saj të dalë negativ, nuk mund t’i përqafojë fëmijët e saj. Këtë pjesë ajo nuk e kishte aspak të lehtë, vërehet thjeshtë fare derisa zëri i dridhet kur thotë se “nuk kish asgjë më të vështirë sesa t’i shohësh fëmijët por të mos guxosh t’u afrohesh atyre”.

“Në momentin që e kam kuptuar që kam dalë pozitiv jam distancuar, jam karantinuar, dy javë e katër ditë kam qëndruar larg familjes, fëmijëve e bashkëshortit, nuk ka qenë e lehtë për besë, mirëpo ia dolëm”, rrëfen ajo.
Natën kur asaj i treguan se rezultati e nxjerr pozitiv me Covid-19, e kujton si shumë të vështirë meqë në mendjen e saj ishte frika se ajo tashmë kishte infektuar familjarët apo personelin tjetër shëndetësor.

Por vullneti për t’u përballur me këtë virus dhe për ta mposhtur atë i erdhi të nesërmen kur familja e saj rezultuan negativë.

“Shumë keq e kam përballuar, të drejtën më të thënë duke e marrë parasysh për shkak të rrezikimit të familjes, më shumë e kisha atë problem, sepse fëmijët ishin të vegjël, duke i menduar disa probleme më tutje duke mos mundur me ia dalë, megjithëse unë isha pozitiv. Mirëpo të nesërmen u testuan e gjithë familja dhe gjithë dolën negativ e kjo ndoshta ka qenë një shtyllë e madhe që ma ka dhënë kurajo ta kaloj”, tregon ajo.

Kjo punëtore shëndetësore e cila e fitoi betejën me një virus krejt të panjohur për vendin tonë, menjëherë pasi u shërua dhe mori rekomandimin e institucioneve përgjegjëse shëndetësore që mund t’i kthehet punës, nuk priti gjatë dhe vazhdoi kontributin e saj në krye të detyrës.

Ajo u bë sërish bashkë me pjesën tjetër të personelit shëndetësor që janë në vijën e parë të frontit në këtë luftë që ka përfshirë të gjithë botën.

Derisa dëgjojmë rrëfime të personelit shëndetësor, për kohën e pandemisë, gjejmë se sfidë e madhe për të gjithë është fakti që ky virus erdhi me shumë të panjohura, duke sjellë shqetësim edhe të vet punëtorët e këtij sektori.

Duke e ditur sa lehtë bartet ky virus, punëtorët shëndetësor, përveç punës profesionale që po bëjnë, e kanë edhe hallin e mbajtjes së distancës me familjarët e tyre.

“Të kenë kujdes, të mbajnë distancën, të rrinë në shtëpi për të mirën e familjes tonë dhe besoj që do të kalojë edhe kjo një ditë”.

Në Kosovë janë identifikuar gjithsej 1.615 raste, me gjithsej 33 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. Ndërsa, numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 963 raste që do të thotë se raste aktive në vendin tonë janë 619 raste.

Burimi

Back to top button