Lajme

Flet Skënder Hyseni: Jemi të gatshëm për Qeveri të re, do të përballemi edhe me dialogu

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka paralajmëruar se javën e ardhshme do të ndërmarr hapat e fundit për formimin e qeverisë së re, deklaratë kjo e cila është mirëpritur nga ambasadori Richard Grenell.

Të dielën, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi se javën e ardhshme do të ndërmarrë hapat e fundit kushtetues për të formuar qeverinë e re të vendit.

Pas kësaj deklarate të presidentit Thaçi ka reaguar edhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Grenell ka thënë se pret që shumë shpejtë të formohet qeveria e re e Kosovës dhe më pas të hiqet edhe masa e reciprocitetit me Serbinë, në mënyrë që sa më shpejt të rifillojë dialogu në mes të të dyja vendeve.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Skënder Hyseni, ka thënë për lajmi.net, se partia e tij është e gatshme që formojë qeverinë e re në bazë të kushtetueshmërisë.

Sipas Hysenit, LDK-ja është e gatshme që të përballet edhe me dialogun dhe me të gjitha çështjet që janë para Kosovës.

“Nuk e kam parë asnjë tweet të ambasadorit Grenell, por krejt çka mund t’ju them është në parim LDK-ja e ka thënë përmes deklaratave të qarta të kryetarit Mustafa se ne do të veprojmë në pajtim me procedurat kushtetuese për formim të qeverisë së re nëse do të konstatohet se procedurat kushtetuese ofrojnë mundësi për të themeluar një qeveri të re, LDK-ja është e gatshme. Qeveria e re do të përballet me të gjitha çështjet të cilat janë para Kosovës duke përfshirë dialogun dhe çdo gjë tjetër, prandaj asgjë nuk mund të them në këtë fazë më shumë sepse ne i respektojmë procedurat kushtetuese dhe në kohën e duhur do ta themi gjënë e duhur”, u shpreh Hyseni.

Theksojmë se me 82 vota për, 32 kundër dhe 1 abstenim, më 25 mars të këtij viti deputetët e Kuvendit të Kosovës kishin votuar për rrëzimin e qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

Deri te rrëzimi i qeverisë erdhi pasi që Kurti kishte shkarkuar nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliun, pa e njoftuar dhe konsultuar paraprakisht me LDK-në, gjegjësisht Isa Mustafën.

Burimi

Back to top button