Lajme

“Futja babë, futja” – mitrovicasi ia jep armën vajzës së mitur, ajo shtien me të 6 herë

C.H, 43 vjeçar nga qyteti i Mitrovicës është parë teksa i ka dhënë në duar armën pa leje, vajzës së tij të mitur për të shtënë me të në ajër, shkruan Insajderi.

Në pamjet e siguruara nga Insajderi, mitrovicasi dëgjohet duke i thënë vajzës së tij “futja babë, futja”, teksa ajo shtie plotë 6 herë me armë.

Vetëm pak orë, pasi Insajderi e ka lajmëruar rastin në polici – zëdhënësi i Policisë së rajonit të Mitrovicë, Avni Zahiti ka konfirmuar se kanë arritur ta identifikojnë 43 vjeçarin dhe më pas i njëjti është arrestuar.

“Urdhërkontrolli është realizuar mbi dyshimet e arsyeshme të bazuara, se i dyshuari C. H. 43 vjeçar, dyshohej për posedim të armës, pasi në rrjetet sociale ishte postuar një video sekuencë ku në prezencë të tije një fëmijë shkrepte një armë zjarri”, ka thënë Zahiti për Insajderin.

Është bërë e ditur se gjatë kontrollit Policia tek i dyshuari ka gjetur dhe ka sekuestruar një armë, e llojit pistoletë , e cila dyshohet te jetë përdorur në video sekuencat e postuara.

“I dyshuari pas procedurave intervistuese është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj tije është iniciuar procedurë për vepër penale “mbajtje në pronësi, kontroll, posedim i paautorizuar i armës”, ka konfirmuar Zahiti.

Burimi

Back to top button