Lajme

Hoti ia lë fajin gastronomisë për rritjen e numrit të rasteve

Hoti ia lë fajin gastronomisë për rritjen e numrit të rasteve
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas takimit me akterët kryesorë të menaxhimit të pandemisë COVID-19 ka deklaruar se rastet ditëve të fundit janë shtuar nga gastronomia dhe institucionet, raporton Express

“Patëm një takim me ministrin e Shëndetësisë, drejtorin e Institutit, drejtorin e Policisë, SHSKUK’së dhe të gjitha inspektoratet qendrore dhe lokale për të vlerësuar gjendjen dhe dakorduar për masat që duhet t’i ndërmarrim”, ka deklaruar Hoti.

Hoti tha se numri i rasteve është shtuar për shkak të gastronomisë, por edhe institucioneve publike.

“Në dy javët e fundit, nga data 4 tetor, numri i rasteve është në rritje. Ende jemi nën atë nivelin prej 50 raste në 100 mijë banorë, që është pragu që hyjmë në grupin e vendeve me rrezikshmëri për të udhëtuar dhe punuar, por duhet të kujdesemi ta mirëmbajmë këtë situatë”, tha Hoti.

“Kemi bërë vlerësim se kush po e shkakton rritjen e rasteve, kur po gjurmohet kah po vijnë ato është se po vijnë nga gastronomia dhe institucionet, është e papranueshme që institucionet të mos kujdesen për mbajtje të plotë të masave dhe të marrin veprimet e duhura nëse ka raste të të punësuarve, të përcjellin të gjitha protokollet e nevojshme”, deklaroi Hoti.

I pari i Qeverisë tha se janë testuar rreth 10 mijë nxënës dhe mësimdhënës.

“Janë testuar rreth 10 mijë nxënës dhe arsimtarë nëpër shkolla, përqindja e atyre që kanë rezultuar pozitivë është 5 për qind, e lartë realisht”, ka thënë Hoti.

Kreu i ekzekutivit tha se është informuar nga inspektorët se punonjësit në barnatore, furra e markete nuk po e respektojnë vendimin e mbajtjes së maskës gjatë orarit të punës.

“Me shqetësim e pranova edhe informatën se ka plot raste që evidentohen nga policia dhe inspektorët nëpër barnatore, furra e markete që shërbejnë pa maskë, ose bartësit e institucioneve kur nuk i respektojnë masat, kjo është e patolerueshme. Nuk mund të tolerojmë që për shkak të papërgjegjësisë një biznesi, apo institucioni, të ndërmarrim masa shtrënguese që na kushtojnë të gjithëve pa përjashtim. I kemi kaluar ato masa për 3-4 muaj, i kanë kushtuar çdo familjeje”, ka thënë Hoti.

Hoti deklaroi se do të bëhen grupe punuese të të gjitha inspektorateve, për të mbikëqyrur zbatimin e masave në të gjitha komunat.

“Duhet të bëjmë gjithçka të mos shkojmë kah situata e cila na detyron të ndërmarrim masa. U dakorduam të bëhen grupe punuese të inspektoratit sanitar, farmaceutik, të tregut dhe ato komunale në dy ndërrime, sepse nga sot kanë punuar punën 75 inspektorë shtesë, me mbështetje të Policisë së Kosovës, do të jenë në mbikëqyrje të zbatimit të masave në çdo lokal, në çdo biznes dhe në institucione publike”, ka deklaruar Hoti.

“Duhet t’i mësojmë qytetarët, institucionet e bizneset të jetojmë me këtë pandemi, edhe për një kohë po duket, ndoshta edhe për një vit e sa, në mënyrë që të mos kthehemi ta izolojmë shoqërinë, sepse do të jetë e papërballueshme edhe për ekonominë dhe familjet”, tha Hoti. /GazetaExpress/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button