Lajme

Hoti për votat e Osmanit Bartësi i listës merr më së shumti ashtu siç mora unë në 2017

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se në këtë koalicion qeverisës përfaqëson LDK-në njëlloj si në koalicionin e kaluar me Vetëvendosjen ku ishte zëvendëskryeministër, që më pas u shkarkua nga ish-kryeministri Albin Kurti.

“Në koalicionin e kaluar qeverisës kam përfaqësuar LDK-në, ndërkaq në këtë koalicion që kemi ndërtuar përfaqësoj LDK-në si kreu i qeverisë. E kam mbështetjen e LDK-së dhe përfaqësoj mbi 200,000 vota të LDK-së. Votat e secilit nga ne që garojmë në listën e LDK-së janë vota të subjektit politik, sepse në kërkojmë besimin e qytetarëve me platformën dhe programin qeverisës të LDK-së. Më pas, brenda listës rangimi i kandidatëve kush sa vota merr është renditje relative brenda listës së LDK-së”.

Hoti në një intervistë ekskluzive në Rubikon të Klan Kosovës ka thënë se mbi 176 mijë votat që Vjosa Osmani kishte marrë në zgjedhjet e kaluara, për të cilat ishte shumë e zëshme, janë një dukuri e zakonshme për bartësin e listës.

Madje, ai ka thënë se njëlloj si Vjosa Osmani kishte marrë edhe ai vota kur ishte bartës i listës si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e vitit 2017.

“Ashtu siç kam marrë unë më së shumti vota në vitin 2017, sepse kam qenë bartës i listës dhe kam përfaqësuar frontalisht listën e LDK-së tash në zgjedhjet e fundit kemi ndërtuar një listë të cilës i ka prirë Vjosa Osmani me një fushatë mjaft dinamike”.

“Është e natyrshme që bartësi i listës e ka barrën kryesore për t’i prirë fushatës së LDK-së. Me bartësin e listës identifikohet partia politike”.

Hoti ka thënë se për LDK-në është shumë e rëndësishme kur bartësi i listës konfirmohet fuqishëm nga votuesit e vet.

Burimi

Back to top button