
Pak ditë më parë Gazeta Sinjali ka raportuar për një rast të grabitjes, që dyshohet se kishte ndodhur në rrugën ‘Hazir Haxholli’ në Prishtinë e ku viktimë ishte një djalë 22-vjeçar. Ky i fundit kishte pretenduar se tre persona të armatosur i kanë marrë paratë, çelësat e banesës, veturën dhe një telefon celular e më pas ishin larguar në drejtim të panjohur.
Por ngjarja që iu rrëfye hetuesve policorë po del të jetë e gjitha trillim i të riut.
Sinjali mëson se gjatë zhvillimit të hetimeve janë siguruar dëshmi që provojnë se i riu ka inskenuar grabitjen, gjë e cila ka bërë që 22-vjeçari të pranojë vetë se ka bërë lajmërim të rrejshëm.
Në rrëfim e sipër ai ka trerguar se edhe aksidentin që pretendoi se e shkaktuan hajnat duke ikur, e kishte bërë vet dhe asgjë nga ato që kishte deklaruar më parë nuk ishte e vërtetë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori ka urdhëruar që i riu të hetohet në liri për veprën penale ‘Lajmërim apo kallëzim i rremë’.