Istogasit e prekur me COVID-19 morën pjesë në një varrim në Pejë, kaq persona do të testohen

Katër persona nga komuna e Istogut rezultuan pozitivë në testimet për COVID-19, mbrëmjën e së mërkurës.
Drejtori i Shëndetësisë në istog, Mujë Osmanaj, ka thënë se të gjithë këta persona virusin e kanë marrë në Pejë, pasi kishin qenë në një varrim atje
6 të prekur me COVID-19 janë konfirmuar deri më tani në komunën e Istogut. Një grua 39-vjeçare nga kjo komunë, ka vdekur si pasojë e koronavirusit dhe sëmundjeve shoqëruese që kishte pasur.
E ata që u konfirmuan të prkeur me COVID-19 mbrëmjen e së mërkurës, janë tri motra dhe burri i njërës prej tyre.
Drejtori i Shëndetësisë në Istog, Mujë Osmanaj, ka treguar për Express se janë në gjurmim ë kontakteve të këtyre personave të konfirmuar me koronavrius.
“Rastet e mbrëmshme janë të gjitha raste kontakti. Vatra është në Pejë, banorët e Istogut janë infektuar pasi kanë qenë në një varrim atje. Janë tri motra dhe bashkëshorti i njërës prej tyre”, ka thënë Osmanaj.
Ai theksoi se deri më tani janë gjurmuar mbi 20 persona të cilët mund të kenë pasur kontakt me të prekurit me COVID-19 nga kjo komunë.
“Jemi në gjurmim të kontakteve, deri më tani kemi një listë me mbi 20 persona. Po i shikojmë edhe kontaktet tjera që mund të kenë pasur personat e prekur me familajrë apo njerëz të tjerë”, ka theksuar Osmanaj.
Osmanaj tha se gjendja me furnizime me materiale shpenzuese në QKMF’të e Istogut është stabile, derisa theksoi se kanë pranuar kontigjente nga Ministria e Shëndetësisë, por edhe vetë komuna po i furnizon QKMF’të.
Ndërkohë, të konfirmuarit me COVID-29 nga komuna e Istogut jetojnë në tri vende të ndryshme. Një rast është në Istog, burrë e grua në fshatin Kërrninë dhe një tjetër në fshatin Prekallë.
Express mëson se burri i konfirmuar me COVID-19 nga fshati Kërrninë është gardian në Burgun e Dubravës.
Ndërkohë, numri total i personave të prekur me OVID-19 deri më tani në Kosovë ka shkuar në 630.
Nga ta, 138 persona janë shëruar, ndërkaq në tërë territorin e Kosovës kanë vdekur 18 persona.
Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.
Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.
Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.
Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, por do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.