Lajme

Këta emra të ministrave e ish-ministrave po përfliten për kryetar të Prishtinës

Kosova ka hyrë në harkun kohor të zgjedhjeve komunale.

Ndonëse ka rreth një vit kohë, në vend po lakohen emrat e disa prej kandidatëve të mundshëm që do të garojnë për ta drejtuar kryeqytetin.

Nga Partia Demokratike e Kosovës ende nuk kanë vendosur për kandidatin që synon ta udhëheqë Prishtinën, megjithatë si kandidat potencial është përmendur emri i ish-ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili.

Asamblisti i PDK-së në Komunën e Prishtinës, Blerand Stavileci, nuk e mohoi që në mesin e kandidatëve të partisë së tij që e synojnë këtë pozitë ka edhe deputetë.

“Normalisht që ambiciet në politikë janë diçka legjitime që i përket secilit veç e veç. Emra njëherë për njëherë nuk ka, mirëpo ju thashë që shumë shpejt ne jemi në kuadër të një procesi të cilin jemi duke e dizajnuar se si do të duket e tërë fushata, parafushata, kandidimi dhe promovimi i këtyre kandidatëve dhe besoj që pastaj do t’i japim detajet”, tha ai.

Si emra të mundshëm për kryetar të Prishtinës nga radhët e LDK-së, janë përmendur Lumir Abdixhiku e Arban Abrashi, mirëpo ish-kryetari i Prishtinës, Ismet Beqiri, ka thënë se kjo nuk është zyrtare dhe se është herët për t’u përcaktuar.

“Sigurisht janë përmendur, por as që kemi biseduar, por po them që në garë mund të jetë edhe krejt i treti”, tha Beqiri.

Edhe nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se ka kohë për shpallje të kandidaturave, porse asamblisti i kësaj Partie në Komunën e Prishtinës, Egzon Azemi, thekson se qytetarët po kërkojnë që garës për të parin e Prishtinës t’i futet Arben Vitia.

“Kjo është çështje që do ta vendosë Këshilli i Qendrës së Prishtinës dhe Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje, mirëpo kanë ardhur jashtëzakonisht shumë kërkesa prej qytetarëve që kandidat me qenë Arben Vitia. Është ende herët për t’u përcaktuar për kandidatët, por e kemi parë se ekziston një vullnet i tillë qytetar për kandidimin e Vitisë për kryetar”, tha Azemi.

Për një mandat të tretë, i pavendosur është edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Nga partitë e tjera, kanë thënë për KOHËN se janë të gatshëm për zgjedhjet lokale sidomos në Prishtinë, porse ende është herët të flitet për emra konkretë që do të mund t’i futeshin kësaj gare.

Zgjedhjet e fundit lokale janë mbajtur më 22 tetor 2017.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button