Lajme

Kurti, flet përmes telefonit me Gjukaniviqin, i thotë se nuk është për një zgjidhje të shpejtë të dialogut me Serbinë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, transmeton IndeksOnline.

Zyra për Informimin e Kryeministrit bën të ditur se në bisedën e zhvilluar mes tyre tema diskutimi ishin lufta kundër pandemisë, pakot emergjente që ka funksionalizuar qeveria Kurti si dhe dialogu me Serbinë.

Kurti ia ka bërë të ditur Gjukanoviqit se ai është për një dialog me parime e jo për një zgjedhje të shpejtë.

“Temë e veçantë e bisedës ishte edhe dialogu me Serbinë. Me këtë rast kryeministri në detyrë Kurti tha se është për një dialog të përgatitur mirë e me parime dhe jo për një zgjidhje të shpejtë, nën udhëheqjen e BE-së dhe ShBA-ve, të cilat nuk mund të zëvendësohen apo ta përjashtojnë njëra tjetrën”, tha Kurti, thekson ZKM-ja.

Në anën tjetër presidenti malazias theksohet të ketë thënë se procesi i dialogut me Serbinë është një nga faktorët kyç për stabilitetin e rajonit dhe integrimin e tij në BE. Ai u pajtua se nuk ka zëvendësim për BE-në dhe ShBA-të në rajon dhe e siguroi kryeministrin në detyrë Kurti se Mali i Zi do të jetë gjithmonë fqinj i sinqertë dhe do të bashkëpunojë ngushtë me shtetin e Kosovës./IndeksOnline/

Back to top button