Lajme

Kurti paraqet para deputetëve rezolutën kundër referendumit serb: Askush askujt nuk po ia cenon të drejtën e votës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme lidhur me referendumin serb në Kosovë ka thënë se votimi i komunitetit serb në Kosovë, mund të bëhet vetëm përmes zyrës ndërlidhëse, në të kundërtën do të ishte shkelje e Kushtetutës.

Kurti ka kërkuar nga deputetët që të votojnë një rezolutë të Kuvendit të Kosovës në lidhje me këtë referendum, shkruan Reporteri.net.

Kryeministri Kurti ka thënë se përmes kësaj rezolute, Kuvendi synon që si përfaqësues i qytetarëve të shpreh qëndrimin e përbashkët se organizimi i referendumit serb në Kosovë cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës.

“Kushtetua jonë përcakton se të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit shteti ynë përcakton ai një shtet i pavarur dhe sovran, që respekton parimet e barazisë para ligjit dhe garanton barazitë dhe liritë e njeriut që vlejnë për të gjithë qytetarët. Votimi për referendumin që do të mbahet nga Serbia i garanton komunitetit serb nën ombrellën e normave juridike tonat, duke respektuar normat për votim jashtë vendit. Kjo nuk është diçka e paprecedent, e thotë edhe praktika evropiane. Dua të bëj të qartë se askush askujt nuk po i cenon të drejtën e votës. Referendumi për votim mund të bëhet në zyrën ndërlidhëse. Strukturat ilegale të Serbisë.

Serbët e Kosovës në këto vite nuk kanë votuar si votues jashtë vendit por brenda vendit, e problemi nis nga kushtetuta e Serbisë që Kosovën e konsideron si pjesë të saj. Kosova është shtet i pavarur dhe duhet të trajtohet si i tillë, organizimi i votimit jashtë zyrës ndërlidhëse është kundër kushtetutës së Kosovës. Për ta bërë të qartë që një qëndrim i tillë nuk është vetëm i qeverisë por edhe i komplet spektrit politik, ju ftoj ta votoni një rezolutë”, ka thënë Kurti.

Rezoluta ka disa pika të cilat i ka cekur Kurti:

Kuvendi shpreh qëndrimin e përbashkët se organizimi i referendumit cenon sovranitetin dhe është në kundërshtim me Kushtetutën.

Kuvendi kërkon nga Qeveria që të ndërmarrin të gjitha veprimet për të mos lejuar cënimin e integritetit dhe sovranitetit.

Kuvendi synon përkushtimin për mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve.

Kuvendi afirmon të drejtën e qytetarëve me dyshtetësi për ushtrimin e të drejtës së votës.

Kuvendi thekson se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në Kosovë si dhe përfshirja e strukturave paralele, përbën shkelje të sovranitetit.

Kuvendi shpreh kundërshtim ndaj veprimeve të Serbisë për të instrumentalizuar serbët e Kosovës.

Kuvendi mirëpret qëndrimet e prera të bashkësisë ndërkombëtare për mbrojtjen e stabilitetit dhe ligjit.

Kuvendi mbetet i përkushtuar për të dhënë kontributin e tij për mbrojtjen e sovranitetit, avancimit të demokracisë dhe agjendës demokratike.

Kryeministri Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet në lidhje me referendumin serbe, ka thënë se Qeveria që ai drejton nuk është anti-serbe.

Kurti ka thënë se është Serbia ajo që është kundër Kosovës dhe përpjekjeve për progres ekonomik e për avancim në agjendën evropianë e euro-atlantike

“Qeveria jonë nuk është anti-serbe, ne kemi një ministër nga komuniteti serb, madje është kryetari i Listës Serbe, pastaj kemi edhe zëvendësministra e këshilltar. Luftimi i krimit dhe korrupsionit nuk njeh etni, dhe policët kur e luftojnë atë nuk zbatojnë urdhra të Qeverisë por të Prokurorisë. Prandaj edhe luftimi i krimit e korrupsionit që bëhet në Kosovë nuk bëhet duke pasur parasysh përkatësinë kombëtare të atyre që janë të dyshuar si të korruptuar e kriminelë. Është Serbia ajo që është kundër Kosovës dhe përpjekjeve tona për progres ekonomik e për avancim në agjendën evropianë e euro-atlantike”, ka deklaruar Kurti.

Lumir Abdixhiku i thotë Kurtit: Kushtetutën e ke, merr përgjegjësi mbi supe

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se për LDK-në mbajtja e referendumit serb në Kosovë është çështje e mbyllur para se të fillon.

Ai tha se kjo tendencë jo kushtetuese dhe jashtë normave ligjore që vendi i ka, është praktikë e papranueshme ndërkombëtare, e në kundërshtim me relacionet e shteteve sovrane që respektojnë njëra- tjetrën.

“Referendumi i Serbisë mohon integritetin territorial të Kosovës dhe rendin tonë kushtetues dhe dëshiron të shtrijë sovranitetin mbi Kosovën. LDK pret dhe mirëpret respektimin e Kushtetutës së Kosovës dhe rendit tonë kushtetues”, tha Abdixhiku, shkruan Reporteri.net.

Ai tha se nuk e kupton nevojën e thirrjes së seancës së sotme.

“A ka diçka shtesë që Kuvendi duhet të të ofrojë ty si Kryeministër, që s’mund ta respektosh rendin kushtetues në Republikë. Kosovës nuk i duhet një skenë politike e tillë. Nëse Kushtetuta të jep çdo të drejtë dhe nëse kjo seancë nuk është shfaqje drame a popullizëm, na tregoni se çka është” ka thënë Abdixhiku.

Sipas tij, Kryeministri nuk po guxon të marrë vendime, por që duhet të veprojë dhe të marrë përgjegjësi mbi supe.

“Kushtetutën e ke, ushtroje rolin kushtetues prej Kryeministri. Merr përgjegjësi mbi supe” ka përfunduar Abdixhiku.

Kreu i LDK-së më tej tha se kryeministri nuk po ka guxim të marrë veprime.

“Si në çdo temë tjetër, nuk po arrinë t’i japë zgjedhje çështjeve që i vijnë në tavolinë”, tha Abdixhiku. /Reporteri.net/.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button