Lajme

Kurti uron myslimanët: Ramazani, muaji ku më shumë sheh e dëgjon shpirti, sesa veshi e syri

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë, me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit.
Ai ka thënë se në këtë muaj të devotshmërisë besimtari i përkushtohet Zotit dhe shton kontributin e vet për komunitetin dhe për njerëzit në nevojë

Ky është postimi i plotë:
Të dashur besimtarë myslimanë, pas pak orësh fillon muaji i shenjtë i Ramazanit.

Ky muaj, për besimtarët është muaji i agjërimit, i cili kufizon lakminë e gojës e të barkut, dhe lartëson bujarinë e drejtësinë e zemrës e të mendjes. Është muaji ku më shumë sheh e dëgjon shpirti, sesa veshi e syri.

Në këtë muaj të devotshmërisë besimtari i përkushtohet Zotit dhe shton kontributin e vet për komunitetin dhe për njerëzit në nevojë. Zakonisht Ramazani është muaj që forcon shoqërinë e bashkësinë, me vizitat për iftar te njëri-tjetri e me mbledhjet në xhami për t’u falur e për të biseduar. Mirëpo sivjet nuk do të jetë kështu. Institucionet fetare, myftinjtë e hoxhallarët po iu bëjnë thirrje besimtarëve të ruajnë distancën sociale dhe të rrinë në shtëpitë e tyre. Dhe kjo thirrje duhet respektuar, që të mbrojmë njëri-tjetrin prej sëmundjes së rrezikshme, të cilën do ta kalojmë sa më shpejt, me ndihmën e Zotit e të mjekësisë. Pra, të dashur besimtarë, respektojini udhëzimet e mjekëve e kufizimet qeveritare, edhe gjatë Ramazanit.

Unë ua uroj gjithë myslimanëve Ramazanin, dhe dëshiroj që të jenë sa më vullnetfortë, zemërbardhë e të lumtur gjatë këtij muaji të agjërimit. Shpresoj që të gjithë ne të udhëzohemi kah e drejta, pra të gjithë, të çdo feje, besimtarë e jobesimtarë, sepse kohë të vështira po afrojnë në vendin tonë, për shkak të lakmisë së pakufizuar të disave. Zoti na ndihmoftë.

Ramazan të mbarë, të dashur miq myslimanë!

Back to top button