Lajme

“Kurtin s’e duan amerikanët udhëheqës të dialogut”, deklaratat e Shalës dhe Hotit që po nxisin debate

Deklaratat e dy prej zyrtarëve më të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës për dialogun Kosovë – Serbi dhe qëndrimin amerikan karshi Albin Kurtit janë duke nxitur debate. Ish zëvendëskryeministri Avdullah Hoti kishte deklaruar se mund të ktheheshin në dialogun e udhëhequr nga Kurti sapo të hiqej taksa.

Nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala në anën tjetër është shprehur se amerikanët nuk janë pajtuar që kryeministri Kurti të jetë në krye të dialogut.

Problemet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në qeveri kishin filluar qysh prej kur partia e Albin Kurtit nuk po e merrte vendimin për heqje të taksës, pavarësisht kërcënime që vinin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Situata në mes të dy partnerëve u acarua deri në prishje të koalicionit, me shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme. Pas Veliut nga posti i dytë më i rëndësishëm në qeveri u shkarkua edhe Avdullah Hoti.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës në vazhdimësi janë deklaruar se taksa duhet të hiqej në mënyrë që të shkohej në dialog. Megjithatë, ajo se çka kanë deklaruar për Kurtin si udhëheqës të bisedimeve, dhe qëndrimin e amerikanëve karshi kryeministrit në detyrë ka ngjallur debat ditëve të fundit.

Sa ishte zëvendëskryeministër, një muaj para rrëzimit të Qeverisë, në emisionin Pressing në T7, Avdullah Hoti kishte deklaruar se me heqjen e taksës Kosova kthehej në dialog si e barabartë. Ai madje kishte përmendur edhe Kurtin si udhëheqës të këtij dialogu.

“Taksën duhet ta heqim, javën tjetër ne ulemi në proces të dialogut në Shtëpinë e Bardhë. Nëse taksa hiqet nesër ne të martën jemi në Shtëpinë e Bardhë në krye të procesit të dialogut, është kaq e thjeshtë. Z. Kurti dhe unë jemi në tavolinë të dialogut, në krye të procesit. Ne kemi ftesë tash e tri javë, hiqeni taksën ejani në proces të dialogut. Java tjetër është momentum i rëndësishëm”, kishte deklaruar Hoti me datë 27 shkurt.

Mirëpo, pas mocionit të mosbesimit, që erdhi si rrjedhojë e shkarkimit të Agim Veliut nga posti i ministrit, në Lidhjen Demokratike të Kosovës kanë pasur tjetër deklaratë të pyetur për praninë e Kurtit në dialog.

Kujtim Shala, nënkryetar i Kuvendit nga radhët e LDK’së dhe njëri nga zyrtarët më të lartë në parti ka deklaruar në emisionin Pressing se LDK është përpjekur që të ndërmjetësoj pasi që Kurti ishte bërë i pabesueshëm për amerikanët.

“Duket që kryeministri në këtë raport qoftë për shkak të premtimeve që mund të ketë dhënë, qoftë për shkak të qëndrimit të tij është bërë i pabesueshëm. Dmth administrata amerikane kryeministrin nuk e ka njohur, se ka pranuar si prijës të delegacionit, por, i ka kërkuar që t’i bashkohet presidentit në Shtëpinë e Bardhë, kjo është e vërteta. LDK është përpjekur që të ndërmjetësoj”, deklaroi Shala.

Tutje, ai ka deklaruar që administrata amerikane e kishte saktësuar se Kurti nuk do të mund të udhëhiqte dialogun Kosovë – Serbi.

“Pyetja jonë e drejtpërdrejtë ka qenë kjo, po nëse hiqet tarifa dhe reciprociteti dhe të gjitha a do të mundet që t’i prijë kryeministri delegacionit, përgjigja ka qenë jo nga administrata amerikane, kjo është situata amerikane. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”, ka deklaruar Shala dy ditë më parë.

Burimi

Back to top button