Lajme

“Ky është skenari i Vjosa Osmanit”, ja pse mund ta ketë fatin e Nexhat Dacit

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se është në proces të ndërtimit të një iniciative qytetare, e cila sipas saj, do të bashkojë njerëzit që kanë integritet e profesionalizëm.

“Jemi duke diskutuar në ndërtimin e një iniciative qytetare, e cila do të bashkojë njerëzit që kanë integritet dhe profesionalizëm. Këto janë dy kritere të thjeshta. Nuk është se jemi duke parë si opsion të vetëm riciklimin e figurave aktuale publike, sepse thellë besoj se njerëzit më të mirë i kemi jashtë politikës. Njerëzit më të mirë i kemi në sektorin privat, në shoqëri civile, i kemi deri diku në botën akademike, janë njerëz të rinj shumë prej tyre me integritet, ata që duhet ta kenë mundësinë t’u hapen dyert e institucioneve për ta dhënë një kontribut. Të kemi një lloj freskimi me njerëz me integritet e profesionalizëm, brenda institucioneve, në Kuvend e Qeveri e gjetiu. Jemi në këtë proces, por për momentin ende janë faza fillestare e diskutimeve të idesë”, ka deklaruar ish nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani.

Por Osmanin mund ta përcjellë fati i ish kryetarit të Kuvendit, Nexhat Daci, i cili themeloi Lidhjen Demokratike të Dardanisë pas largimit nga LDK-ja.

Së paku kështu thotë analisti politik, Nexhat Haziri.

“Paralajmërimin e kryetares së Kuvendit të Kosovës, ish-nënkryetares së LDK-së, Vjosa Osmani se pas thyerjes me ish-partinë e saj LDK-në, do të dal me një iniciative qytetare, mund ta përcjellë edhe atë një lloj “mallkimi” sikur edhe të tjerët siç ishte LDD-ja me akademik Nexhat Dacin, por edhe me disa të tjerë më parë, që pas ndarjes nga LDK-ja, kanë dështuar me partitë e tyre, por edhe me vet karrierën personale politike”, shprehet Haziri për gazetën “Bota sot”.

Sipas Hazirit, Vjosa Osmani ende mban shpresa që të kthehet në LDK.

“Ajo që është më ndryshe te znj.Osmani është se kjo nuk do të formojë parti politike por një iniciativë qytetare, apo për një përdorim që do të thotë vetëm në procesin e zgjedhjeve të ardhshme kurdo që do të mbahen këto, dhe këtë formë sipas mendimit tim, znj. Osmani e ka bërë për shkak se ajo akoma mban shpresë për rikthim në LDK”, thotë Haziri.

Më tej, ai ka shtuar se Vjosa Osmani është duke u përdorur nga lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

“Unë nuk pres ndonjë rezultat spektakular të znj. Osmani në zgjedhje me iniciativën e saj, për faktin se nuk përfaqëson një kauzë të re dhe ka mungesë të profilit politik, dhe e gjithçka që tani ajo po përfaqëson në diskursin e saj politik është një kopje e zbehtë e liderit supreme të LVV-së, z. Kurti, që po përdorët nga ky i fundit për ta forcuar pozitën e LVV-së në skenën politike të vendit, por edhe si një satelite të saj në zgjedhjet e ardhshme, ku LVV-ja po kalkulon në një përqidje te Vjosa Osmanit e cila mund t’ia siguroj 6 deputet, e që realisht është mision i pamundur”, deklaron Haziri.

“Se sa do ta dëmtoj LDK-në, iniciativa qytetare e Vjosa Osmanit, mendoj se nuk do të jetë një përqindje e madhe dhe kjo varët shumë nga përformanca e Qeverisë Hoti dhe jetëgjatësia e kësaj qeverie. Nëse kjo performacë është pozitive dhe qeveria Hoti vazhdon mandatin e saj qoftë edhe për dy vite më shumë, do të zbehën në mase të madhe jo vetëm ambicien e znj. Osmani dhe iniciativës së saj qytetare, por edhe vet ambiciet e LVV-së për dëshirat e tyre se do të marrin një rezultat mbi 50 %”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Nexhat Haziri.

Kujtojmë se muaj më parë, Vjosa Osmani u përjashtua nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button