Lajme

Laboratori privat ofron testime të shpejta për koronavirus, Vitia thotë se nuk u ka dhënë leje

Nga kjo e mërkurë, një laborator i quajtur “Avicena KS” në Prishtinë, po ofron testime të shpejta rapide për COVID-19. Siç njoftohet, këto testime bëhen për 10 minuta, ndërsa rezultatet merren maksimalisht pas dy orësh përmes e-mailit. Për këtë shërbim, “Avicena KS” kërkon 20 euro, ndërsa ata që duan të testohen, duhet të caktojnë paraprakisht një termin në këtë laborator.

Në ofertën e publikuar në Facebook e Instagram, thuhet se laboratori ka marrë leje për t’i bërë këto testime. Ndërkohë, në një përgjigje për Gazetën Sinjali, Ministria e Shëndetësisë ka mohuar se ka aprovuar një formë të tillë të testimit.

“Laboratori ynë ka marrë leje dhe është përgatitur me të gjitha kapacitetet për të bërë testimin për COVID- 19”, shkruhet në postimet e “Avicena KS”.

Por MSH thotë se nuk ka aprovuar asnjë lloj testi tjetër përveç testimeve me RT-PCR që kryehen vetëm në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK).

“Ministria e Shëndetësisë nuk ka aprovuar përdorimin e ndonjë lloj testi tjetër për zbulimin e SARS-COV -2, përveç testimeve me RT-PCR që kryhen në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK. Duke pasur parasysh nevojën dhe rëndësinë që testimet ta kenë saktësinë më të madhe të mundshme, ato janë bërë vetëm në IKSHPK, pra në sektorin publik, me aparaturë të dëshmuar për saktësi të rezultateve”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Madje, Ministria e Shëndetësisë thotë se testimet e tilla që po ofrohen nga “Avicena KS” nuk i ka aprovuar as Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“OBSh nuk i ka aprovuar testet rapide për SARS-COV-2 për diagnostikim klinik, sepse testet e tilla përdoren më shumë për qëllime të studimeve shkencore”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Gazeta Sinjali ka telefonuar në këtë laborator për t’i pyetur se kush ua ka dhënë lejen për t’i kryer këto testime. Nga “Avicena KS” kanë thënë se “do të ju telefonojë administrata pas pak”, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Testimin me metodën që e kanë ofruar, “Avicena KS” thotë se aktualisht po e aplikojnë të gjitha shtetet e botës.

“Testimi bëhet me metodën që aktualisht po përdoret nga të gjitha shtetet e botës, për identifikimin e pranisë së këtij virusi. Ky test është testuar nga mjekët në Wuhan të Kinës, me ç’rast edhe e shpallën si një ndër testet më efektive dhe më të shpejta për detektimin e Coronavirusit”, shkruan “Avicena KS”. “Testi i përdorur është një provë kromatografike shumë e saktë dhe e shpejtë për antitrupat IgG dhe IgM të krijuar nga koronavirusi (COVID-19). Përdorimi i kombinuar i testit IgG dhe IgM mund të zbulojë në mënyrë efektive praninë e infeksionit viral ose kontaktin e mëparshëm me infeksionin viral përmes statusit imunitar të trupit”.

Më tej, ata përshkruajnë edhe formën e testimit, duke u thënë klientëve të mundshëm se do t’i mbrojnë maksimalisht, dhe në fund -natyrisht- duke mos harruar çmimin.

“Testimi bëhet përmes mostrës së gjakut, dhe procedura e testimit nuk zgjat më shumë se 10 minuta. Mostrat e testimit Covid-19 merren në një pikë të veçantë që është plotësisht e ndarë nga pjesa tjetër e laboratorit, në mënyrë që t’ju sigurojmë dhe mbrojmë maksimalisht. Çmimi për testin e COVID -19 është 20 euro. Ndërkaq, rezultati është i shpejtë, i sigurt dhe mund ta merrni maksimalisht 2 orë pas kryerjes së tij përmes adreses elektronike”, thuhet në ofertë.

“Na vizitoni dhe largoni dyshimet”, thuhet në fund të ofertës së “Avicena KS”, ndërsa Gazeta Sinjali do të shoh nëse ky laborator do të vizitohet nga zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë për ta ndalur këtë aktivitet për të cilin ata nuk kanë dhënë leje. /Gazeta Sinjali/

99bea24f 187d 44d4 Aaca 47ea84785318
99bea24f 187d 44d4 Aaca 47ea84785318
Back to top button