Lajme

LAJMI I FUNDIT: Të martën arrijnë në Kosovë për herë të parë vaksinat Pfizer

Të martën edhe Kosova do të furnizohet për herë të parë me vaksinën antiCOVID të llojit Pfizer.

Këtë e kanë konfirmuar për Gazetën inFokus nga zyra për komunikim e MSH-së, ku thuhet se do të arrijnë disa kontigjente, duke mos dhënë më shumë detaje për numrin e tyre.

Këto vaksina janë kontingjente të 95 mijë vaksinave Pfizer që Bashkimi Evropian do t’i sjellë në Kosovë.

“Vaksinat e para nga kontingjenti prej 95 000 i BE-së pritet të arrijnë të martën në Kosovë. Do të ketë disa kontingjente që vijnë javë pas jave deri në marrjen e të gjitha 95 000 dozave”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Mirëpo përsëri duke mos dhënë shumë detaje nga Ministria është rikonfirmuar se janë në negociata për sigurimin e më shumë vaksinave edhe të llojeve të tjera, shkruan Gazeta inFokus.

“Po, MSH është duke negociuar edhe për vaksina të tjera. Kjo gjë tashmë është konfirmuar disa herë nga krerët e MSH-se edhe në konferencë për media edhe në Kuvend dhe në organe të tjera”, thuhet në përgjigjen e zyrës për komunikim të MSh-së.

Kujtojmë se edhe këto 95 mije vaksina janë donacion nga Bashkimi Evropian përderisa Kosova ende nuk ka shpenzuar asnjë cent për sigurimin apo blerjen e vaksinave antiCOVID.

Kosova ishte vendi i fundit në rajon që arriti të sigurojë vaksinën dhe të fillojë vaksinimin e popullatës, përderisa numri i vdekjeve që nga fillimi i pandemisë e deri më tash ka arritur në 2 mijë e 183 raste.

Që nga 28 marsi kur në vend erdhën 24 mijë doza të vaksinës AstraZeneca, donacion nga UNICEF-i, Kosova ka filluar vaksinimin përderisa ka pasur ankesa që ky proces po ecën shumë ngadalë./Gazeta inFokus/

Back to top button