KosoveLajme

LDK i kërkon Kurtit dhe VV’së të ndalin linçimet ndaj njerëzve të SHBA’së

Partia e Isa Mustafës i ka bërë thirrje Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje të ndalin gjuhën linçuese ndaj zyrtarëve të SHBA’së. Ka thënë se kjo fushatë nisi nga këshilltarët e Albin Kurtit për të vazhduar nga militantët partiakë.


“LDK dënon ashpër fushatën e ulët linçuese, e cila po zhvillohet në rrjetet sociale apo përmes deklaratave politike, e orkestruar, qoftë drejtpërdrejt përmes aktivistëve politik apo forma tjera indirekte, ndaj aleatit të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe personaliteteve të SHBA-ve. Fushata denigruese ndaj aleatit kryesor të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë së Kosovës për LDK-në është e papranueshme dhe e pafalshme”, thuhet në deklaratën e LDK’së.

“Fryma e fushatatës së tillë u instalua nga deklaratat publike të disa këshilltarëve të Kryeministrit të Kosovës, e pasuar nga militantë të LVV-së. LDK fton qytetarët e Kosovës të refuzojnë këtë fushatë dhe të mos bëhen pjesë e një diskursi që nuk pasqyron edukatën tonë personale, familjare e qytetare dhe nuk i takon kulturës dhe traditës tonë, si shoqëri e si komb. LDK fton Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryetarin e saj, Albin Kurtin, që është kryeministër në detyrë, ta dënoj këtë fushatë dhe të ndikojë në ndaljen e saj. SHBA meriton respekt dhe falenderim të përhershëm të Kosovës dhe të çdo qytetari të saj”, thuhet më tej në deklaratë.

Ndryshe, Express ka raportuar dje se fyerje të rënda ndaj Kosnett dhe amerikanëve vijn në mënyrë të organizuar pas rrëzimit të Kurtit nga pushteti si rezultat i një mocioni të Lidhjes Demokratike të Kosovës që u përkrah nga 82 deputetë në Kuvend.

Një gjuhë të tillë linçuese të përkrahësve të Kurtit ndaj Kosnett , Grenell e amerikanëve, e ka denoncuar një faqe në “facebook” e titulluar “ LDK per Kosoven”.

Në këtë faqe janë publikuar qindra komente fyese të përkrahësve të Vetëvendosjes në adresë të amerikanëve, me mbishkrimin “ Wall of shame” apo “ Muri i turpit”.

Raportet e Kurtit me amerikanët kanë pësuar një çarje të pariparueshme pas refuzimit të këtij të fundit për ta hequr taksën sipas kërkesës së Washingtonit.

Tashmë Kurti pas përkrahjes nga BE, thotë se Evropa s’mund të zëvëndësohet me asnjë kontinent tjetër meqë e ardhmja e Kosovës është pikërisht në Evropë./Express/


Back to top button