Lajme

Mërgimtari thotë se polici e ndali në aeroport dhe i tregoi për kë të votojë

Mërgimtarë të shumtë kanë vendosur të vijnë në Kosovë për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Disa prej tyre ankohen se u është pamundësuar votimi me postë, prandaj kanë vendosur të vijnë fizikisht në Kosovë për të dhënë votën e tyre drejt partisë që ata mendojnë se do të qeverisë më së miri vendin.

Por ka pasur nga ata që kanë ardhur vetëm për pushime, ndërsa në aeroport kanë përjetuar të pazakonshmen.

Ermal Rrustemi, një qytetar i Kosovës i cili jeton në Gjermani, ka treguar për një përvojë të keqe që e ka pritur me të zbritur nga aeroplani në aeroportin e ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Rrustemi tha për “Zërin” se një zyrtar policor i Kosovës e ka pyetur se kë do të votojë.

Ai thotë se ka ardhur për pushime dhe nuk ka ardhur për të votuar, ndërsa sipas tij edhe po të kishte ardhur për të votuar polici nuk ka drejtë të bëjë pyetje të tilla, që cenojnë privatësinë. Ai tha se madje polici i kishte rekomanduar edhe për kë të votonte.

“Për zgjedhje nuk kam ardhur. Sidoqoftë, do kishte qenë mirë t’u thuhet policëve të mos na tregojnë kë me votu. Unë nuk kam ardhur ta votoj askënd dhe nuk jam me asnjë parti, vetëm se me më ndal polici e me më tregu kënd duhesh me votu ti këtu kur të vish, unë nuk e di…”, u shpreh Rrustemi, i cili nuk tregoi se për cilën parti i kishte rekomanduar polici të votojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button