Lajme

Mësohen detaje! Ja kur pritet të ndodhë nënshkrimi i marrëveshjes së koalicionit me LDK-në

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sot do të mbajë një takim për t’i finalizuar përgatitjet e fundit para nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit me LDK-në.

Siç merr vesh Telegrafi, në këtë mbledhje e cila do të udhëhiqet nga kryetari i kësaj partie Ramush Haradinaj, do të marrin pjesë nënkryetarët e AAK-së, sekretarët dhe grupi parlamentar.

Mbledhja pritet të mbahet në orën 13:00 në selinë qendrore të AAK-së.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka thënë për Telegrafin se po punohet që sot pasdite të ndodh nënshkrimi i marrëveshjes me LDK-në.

“Po punohet në atë drejtim, që sot pasdite të ndodhë nënshkrimi i marrëveshjes në mes AAK-së dhe LDK-së”, ka thënë Lekaj.

AAK ka propozuar emrat për ministra në Këshill Drejtues. Ramë Likaj, Blerim Kuçi, Selim Selimi dhe Meliza Haradinaj pritet që të propozohen ministra, ndërsa zëvendëskryeministër pritet të jetë Besnik Tahiri.

Ndryshe, kandidati i propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës për kryeministër të qeverisë së re, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se sot do t’i përmbyllin çështjet e koalicionit dhe do të dalin me përbërjen e qeverisë së re.

Burimi

Back to top button