Lajme

Mimoza Kusari për mospagesën e rrymës në veri: Paguajmë për sovranitet territorial, por shpejt do të zgjidhet

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se nëse Kosova nuk i paguan faturat e rrymës për katër komunat veriore, Serbia është e gatshme të fillojë të ofrojë energji për veriun.

Për këtë, ajo po thotë se Kosova ka paguar që të ruajë sovranitetin dhe integritetin territorial të saj.

Megjithatë, Kusari-Lila tha se kësaj pabarazie do t’i vijë fundi shumë shpejt.

“Jam shumë e bindur që viti 2022 do të shënojë një kthesë pozitive dhe tepër të rëndësishme në raport me kthimin e stabilitetit të energjisë elektrike në veri, që nënkupton licencimin e kompanisë dhe fillimin e mbledhjes së faturave”.

Ajo, në Rubikon, tha se rrjedha e situatës politike bëri që të zgjatet zotimi nga gjashtë në tetë muaj për kthim të stabilitetit në veri.

“Nuk është problem teknik apo i kompetencës. Por, është hera e parë që jemi aq afër arritjes së një zgjidhjeje, e cila e përfundon sagën 22-vjeçare të rrethanave, në të cilat në veri s’ka pasur pagesë të rrymës elektrike, duke shtuar këtu faktin se nuk ka pasur pagesë as të ujit të pijes dhe as pagesë të tatimit të pronës”.

Kusari-Lila tha se nuk është zgjidhje e lehtë kjo dhe se merr kohë.

“S’po kërkojmë luks, por është bazike që qytetarët në veri t’i kryejnë obligimet e veta që i kanë. Është mosbarazim dhe një shenjë e vazhdueshme e jostabilitetit që është në krejt Kosovën. Nëse lëshohet licenca, shkon tre deri në katër muaj në përgatitje teknike, në regjistrimin e konsumatorëve e të tjera”.

Shefja e GP të Vetëvendosjes tha se kjo është një prej sukseseve më të mëdha në raport me integrimin e veriut.

Qeveria e Kosovës e ka aprovuar kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 600 kWh energji elektrike në muaj. Këtu nuk përfshihen bizneset. Konsumatorët biznesorë mund të shpenzojnë energji elektrike sa të duan dhe faturën e paguajnë me çmimin e vjetër, raporton Gazeta Express.

Day Travel
57.7 milionë euro vlerësohet se nevojiten për t’i barazuar të hyrat e kostove të sistemit, që ndërlidhet me kostot e larta të importit të energjisë elektrike dhe mjeteve që mund të gjenerohen nga konsumatorët. Këtë shumë do ta mbulojë qytetarët që konsiderohen konsumatorë shtëpiakë, duke e paguar me shtrenjtim energjinë e shpenzuar elektrike, nëse ajo shkon në mbi 600 kWh në muaj.

Sipas propozimit të ZRRE-së, të miratuar nga Qeveria, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kWh rrymë në muaj dhe ata që shpenzojnë edhe më shumë se kaq, nuk do t’i ndihmojë as subvencionimi i Qeverisë prej 75 milionë eurosh.

Subvencionimi i energjisë elektrike nga Qeveria i mban të pakrekur nga rritja e çmimit të rrymës vetëm bizneset. Tarifa për konsumatorët biznesorë mbetet me 0% rritje, pavarësisht se sa shpenzojnë ata energji elektrike.

“Subvencioni i dhënë nga Qeveria efektivisht ndikon që tarifat e konsumatorëve biznesorë të mos pësojnë rritje dhe faturat për konsumatorët shtëpiak të mos rriten për konsumin që mund të ofrohet me tarifën ekzistuese nga kapacitetet vendore në Kosovë (deri në 600 kWh për muaj)”, thuhet në propozimin e ZRRE-së të publikuar të hënën, dhe të miratuar sot nga Qeveria.

Lajmin e mirë ua dha paradite biznesmenëve kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.

“Pas shume pyetjeve nga bizneset, per ceshtjen e rritjes te tarifes se energjise elektrike, nje pergjigje e shkurte:- Nuk pritet te kete rritje te tarifes se energjise elektrike, per kategorine e bizneseve”, shkroi Rukiqi në Facebook.

Këtë e konfirmoi pasdite Qeveria.

“Subvencioni i energjisë elektrike nga ana e Qeverisë do të ndikojë që tarifa për konsumatorët biznesor mbetet me 0% rritje, tarifa për konsumatorët shtëpiak deri në konsumin prej 600 kWh mbetet me 0% rritje, ndërsa tarifa e propozuar nga ZRRE për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh të reduktohet, duke pasqyruar çmimin e importit për këta konsumatorë dhe promovuar efiçiencën e energjisë”, u tha në një komunikatë të lëshuar nga Ministria e Ekonomisë.

Me tarifat e reja, konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj do ta paguajnë një çmim me rritje prej 13.31 eurosh. Ndërsa konsumatorët që shpenzojnë 1000 kwh rrymë në muaj do të përballen me një rritje prej 24.62 euro të çmimit të rrymës.

Tarifa për konsumatorët shtëpiakë për konsumin mbi 600 kWh që ka qenë 0.21 euro/kWh për energjinë e shpenzuar në kohën e tarifës së lartë (gjatë ditës), është reduktuar në 0.14 euro për një kWh rrymë të shpenzuar.

Ndërsa tarifa për konsumatorët shtëpiakë për konsumin mbi 600 kWh, nga 0.09 euro/kWh për energjinë e shpenzuar në kohën e tarifës së ulët (gjatë natës), është reduktuar në 0.06 euro për një kWh rrymë.

Si i klasifikon ZRRE-ja konsumatorët?

Konsumatori që shpenzon 300 kWh/muaj vlerësohet si konsumator që shpenzon energjinë e nevojshme për të mbuluar nevojat esenciale për një familje 4 antarëshe. Gjatë vitit, sipas ZRRE-së, 20.5% e konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag në asnjë muaj. Këta konsumatorë futen në kategorinë A.

Konsumatori me konsum 450 kWh/muaj – paraqet konsumin mesatar të një konsumatori të amvisërisë gjatë vitit. Bazuar në të dhënat e KEDS-it, konsumi mesatar (nga viti 2012 – 2020) nga amvisëritë që shpenzojnë mbi 300 kWh/muaj, është ~ 460 kWh/muaj. Konsumi mesatar në vitin 2021 për konsumatorët e amvisërive që shpenzojnë mbi 300 kWh/muaj energji elektrike, sipas ZRRE-së është rreth 440 kWh/muaj. Gjatë vitit, 44% e konsumatorëve thuhet se nuk e kalojnë këtë prag në asnjë muaj. Këta konsumatorë futen në kategorinë B.

Konsumatori me konsum 600 kWh/muaj – paraqet konsumin bazik minimal të një konsumatori me ngrohje elektrike gjatë dimrit. ZRRE thotë se në bazë të analizave gjatë vendosjes së bllokut në tarifat e kaluara, 69% të konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag në asnjë muaj gjatë vitit, dhe 79% të konsumatorëve nuk e kalojnë këtë nivel gjatë muajve të verës. Këta konsumatorë futen në kategorinë C.

Konsumatori me konsum 800 kWh/muaj – paraqet një konsumator me konsum mbi bllokun e propozuar. Këta konsumatorë futen në kategorinë D.

Konsumatori me konsum 1000 kWh/muaj – paraqet një konsumator me konsum më të lartë të energjisë elektrike. Këta konsumatorë futen në kategorinë E.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button