Lajme

Ministria e Shëndetësisë pas rritjes së rasteve me COVID: Nuk përjashtohen masat e reja

Përpos masave antiCOVID të cilat janë të vendosura tash e sa kohë, Ministria e Shëndetësisë nuk ka përjashtuar mundësinë që të ketë masa të reja për shkak të situatës së përhapjes së rasteve me COVID-19.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë deklaruar se nuk përjashtohen masat e reja në rast se ngarkesa spitalore rritet dhe rastet rriten ndjeshëm.

“Janë një serë masash në fuqi, të cilat duhet të zbatohen në mënyrë më adekuate. Por, nuk përjashtohen as masa të reja në rast se ngarkesa spitalore rritet dhe rastet rriten ndjeshëm. Tash për tash, mbesin në fuqi masat e ndërmarra më herët”, kanë deklaruar nga MSH për lajmi.net.

Poashtu nga Ministria e Shëndetësisë është bërë thirrje për vaksinim nga qytetarët, përveç me dy doza edhe me dozën përforcuese.

“Thirrja është për vaksinim sa më të shpejtë përveç dy dozave edhe me dozën përforcuese”.

Por sa i përket ndryshimit të masave antiCOVID, MSh ka theksuar se varet gjithçka nga rekomandimet që jep Instituti Kombëtarë Shëndetësorë Publik i Kosovës si dhe Komisioni Këshillëdhënës për COVID-19 nga ecuria epidemiologjike.

E lidhur me vaksinimin antiCOVID në vend, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se deri tani ka qenë një proces sfidues, por edhe bukur i suksesshëm.

“Megjithëse duhet të vazhdoj edhe më tej me ritëm më të lartë”.

E sa i përket pacientëve të prekur me koronavirus, nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se mjekimi i tyre po bëhet njësoj si ata që ishin të infektuar me variantet e tjera të koronavirusit.

“Mjekimi nuk dallon prej varianteve të tjera shumë, me ndonjë përjashtim dhe institucionet janë duke e bërë këtë”.

E sipas ministrisë, Omicron është dominues në rajonin evropian dhe në shumë shtete të botës tani, e meqë është një variant që shquhet me përhapje më të shpejtë është e pritshme dhe rritja e rasteve, të cilat në aspektin klinik ato që kanë nevojë për tretman spitalor, do të menaxhohen.

E së fundi Instituti Kombëtarë Shëndetësorë i Kosovës ka paralajmëruar për rrezikun e shtimit të rasteve me Omicron, si dhe shtimit të numrit të pacientëve në qendrat spitalore në vend.

“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mos grumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë”, thuhet në komunikatë.

IKSHPK thotë se është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19.

E në 24 orët e fundit janë shënuar edhe 771 raste të reja të të infektuarve me virusin COVID-19.

Tani për tani numri i rasteve aktive ka shkuar në 4 mijë e 489. Kurse gjatë 24 orëve janë vaksinuar 3.064 qytetarë.

Bllok tarifa: Nëse keni paguar faturë të energjisë 58 euro, ZRRE tash propozon që të paguhet 109 euro

Zyra e Rregullatorit për Energji është në procesin e shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave për aktivitetet në sektorin e energjisë elektrike.

Si shtet neto-importues i energjisë elektrike, edhe Kosova është ndikuar nga rritja e çmimeve në Evropë. Përveç rritjes së çmimeve, në vitin 2021 në Kosovë është shënuar rritje të ndjeshme të kërkesës për energji elektrike, gjë që ka cenuar edhe sigurinë e furnizimit. Kjo është ndikuar pjesërisht nga ndryshimet e strukturës tarifore të vitit 2017, që kanë synuar thjeshtimin e strukturës por që kanë ndikuar në zvogëlimin e nxitjes për efiçiencë të energjisë dhe përdorimin e energjisë elektrike si alternativë më të lirë për ngrohje gjatë sezonës të dimrit, shkruan lajmi.net.

ZRRE-ja ka përgatitur dy raporte konsultative. Njëra nga to ka të bëjë me kthimin e bllok tarifave.

ZRRE-ja u ka ofruar kompanive të rregulluara, konsumatorëve dhe palëve tjera të interesit mundësinë që të shqyrtojnë të dhënat dhe qëndrimet e paraqitura në këtë raport konsultativ, dhe të komentojnë ato, duke paraqitur kundër argumente ose duke ofruar të dhëna të reja të cilat ZRRE-ja mund të mos i ketë marrë parasysh. Palët që dëshirojnë të shprehin mendimet e tyre për qëndrimin e ZRRE-së ftohen t’i dorëzojnë komentet e tyre me shkrim, jo më vonë se 28 janar 2022, në ora 18:00h.

Propozimi i ZRRE, që reflekton kostot e ofrimit të furnizimit me energji elektrike, është që tarifat e shërbimit të energjisë elektrike të rriten për 9% për komponentën e energjisë të tarifave për konsumatorët biznesorë dhe për nivelin e konsumit deri në 600 kWh të konsumatorëve shtëpiak.

Niveli i konsumit mbi 600 kWh, që nuk mund të mbulohet nga kapacitetet vendore, furnizohet me tarifë prej 0.21 eur/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.09 eur/kWh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët.

Sipas këtij propozimi, fatura me konsum mesatar prej 450 kWh do të rritetpër €2.29 në muaj, ndërsa fatura me konsum deri në bllok për 3.06€ në muaj.

Rritja për konsum që tejkalon bllokun 600 kWh është më e ndjeshme për shkak se reflekton çmimin e importit dhe për konsum mujor 800 kWh rritet për €26.98, ndërsa për konsum mujor prej 1000 kWh me €50.89.

Ndikimi i propozimit tarifor në faturat e konsumatorëve shtëpiak

Në këtë pjesë të raportit ofrojmë një analizë të ndikimit të propozimit të ZRRE-së në faturat e konsumatorëve shtëpiak, për nivele të ndryshme të konsumit:

Konsumatori me konsum 300 kWh/muaj – Në bazë të legjislacionit në Kosovë vlerësohet si energjia nevojshme për të mbuluar nevojat esenciale për një familje 4 antarëshe. Gjatë vitit, 20.5% e konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag në asnjë muaj gjatë vitit.

Konsumatori me konsum 450 kWh/muaj – paraqet konsumin mesatar të një konsumatori të amvisërisë gjatë vitit. Bazuar në të dhënat e KEDS-it, konsumi mesatar (nga viti 2012 – 2020) nga amvisëritë që konsumojnë mbi 300 kWh/muaj, është ~ 460 kWh/muaj.

Konsumi mesatar në vitin 2021 për konsumatorët e amvisërive që konsumojnë mbi 300 kWh/muaj është rreth 440 kWh/muaj. Gjatë vitit, 44% e konsumatorëve nuk e kalojn këtë prag në asnjë muaj gjatë vitit.

Konsumatori me konsum 600 kWh/muaj – paraqet konsumin bazik minimal të një konsumatori me ngrohje elektrike gjatë dimrit, në bazë të analizave gjatë vendosjes së bllokut në tarifat e kaluara, 69% të konsumatorëve nuk e kalojn këtë prag në asnjë muaj gjatë vitit, dhe 79% të konsumatorëve nuk e kalojnë këtë nivel gjatë muajve të verës.

Konsumatori me konsum 800 kWh/muaj – paraqet një konsumator me konsum mbi bllokun e propozuar.

Konsumatori me konsum 1000 kWh/muaj – paraqet një konsumator me konsum më të lartë të energjisë elektrike.

Nëse supozojmë që konsumi i energjisë raporti tarifë e lartë/tarifë e ulët është e barabartë me mesataren e realizuar, ndikimi i propozimit të ZRRE-së në tarifat e konsumatorëve shtëpiak është si në tabelën në vijim:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button