Lajme

Miqësia e Rozeta Hajdarit me tenderuesin milionësh të KEK-ut, nxitë dyshimet për përzgjedhjen e Luigj Imerit!

Që nga 3 shkurti i këtij viti njërën prej dikastereve më të rëndësishme në qeverinë e Albin Kurtit e drejton ministrja Rozeta Hajdari.

Asaj i është besuar Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike.

Ministrja tashmë në detyrë, në ditën kur e mori këtë pozitë të rëndësishme udhëheqëse, festoi bashkë më një mik të sajin.

Në natën e gëzimit të madh ministrja gustoi verë së bashku me biznesmenin dhe tenderuesin milionësh të KEK-ut, Arbër Seferin, shkruan Gazeta Insajderi.

Ky i fundit nuk hezitoi që suksesin e mikës ta ndajë edhe me ndjekësit e tij në Facebook.

Në fotografinë e publikuar – Hajdari dhe Seferi shihen duke bërë “gëzuar” – vetëm pak orë pasi u votua qeveria Kurti.

Kjo shkrepje e postuar nga miku i kamotshëm i Hajdarit, nxitit shumë komente uruese, por edhe plot pëlqime.

Aty nuk mungoi edhe një “Like” nga Luigj Imeri. Ky shok dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Arbër Seferit.

96062265 1223874307945431 927257278560600064 N
96062265 1223874307945431 927257278560600064 N

Imeri, vetëm pak muaj më pas, më 29 prill, është emëruar u.d. Kryeshef në KEK, shkruan Gazeta Insajderi.

Ai është votuar nga bordi i përkohshëm i Korporatës Energjetike të Kosovës, i zgjedhur nga Rozeta Hajdari.

Kjo e fundit e ka pranuar publikisht se e njeh shumë mirë dhe goxha moti, Kryeshefin e ri të KEK-ut.

“Në KEK është emëruar një prej drejtorëve më profesionist, apolitik, një djalë që ka mbijetuar që ka vite e vite, është Luigj Imeri. Ai është inxhinier i elktros dhe ka më shumë se 17 vite përvojë pune”, deklaroi atë ditë Hajdari.

“Ai e njeh mirë KEK-un, energjinë dhe sektorin e energjisë në përgjithësi”.

Madje vetëm dy ditë pas këtij emërimi, Hajdari së bashku me shefin e saj Kurtin shkuan për vizitë në korporatën e drejtuar nga Imeri.

Ai e njoftoi Kryeministrin dhe ministren për planet afatshkurta dhe afatmesme të KEK-ut.

Hajdari, Seferi dhe Imeri s’i kanë komentuar raportet ndërmjet tyre kur janë pyetur nga Gazeta Insajderi, dhe as atë nëse miqësia e përbashkët ka ndikuar në emërimin e Imerit në KEK.

Biznesmeni Seferi fiton tender 6 milionësh në ndërmarrjen e udhëhequr nga Kryeshefi Imeri

Firma botërore “Alstom Power Service”, e cila në Kosovë përfaqësohet nga biznesmeni Arbër Seferi, e ka fituar një kontratë publike në Korporatën Energjetike të Kosovës, e cila peshon rreth 6 milionë euro.

Njoftimi për nënshkrimin e këtij tenderi milionësh është publikuar më 5 maj, vetëm tetë ditë pasi në pozitën e Kryeshefit të KEK-ut është emëruar Luigj Imeri, shoku dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë.

Firma e cila e ka fituar këtë megatender ka zyre brenda sistemit elektrik të Kosova B. Deri para pak kohësh atë ka udhëhequr pikërisht Kryeshefi i tanishëm i KEK-ut, shkruan Gazeta Insajderi.

“Alstom Power Service -Rep.Office in Kosovo” është firma e vetme fituese e tenderit të emërtuar: “Demontimi, blerja dhe montimi i zbarave të statorit si dhe komisionimi gjeneratorëve G1 dhe G2 në TC Kosova B”. Vlera e përgjithshme e kontratës është 5 milionë e 970 mijë e 434.39 euro.

Korporata Energjetike e Kosovës për këtë proces të prokurimit ka pranuar dy tenderë, por e ka ndjekur procedurën e negocimit me “Alstom”. Sipas njoftimit për nënshkrimin e kontratës vetëm kjo kompani ka qenë e përgjegjshme.

Firma e përfaqësuar nga biznesmeni Seferi – punimet në kompaninë e drejtuar nga shoku dhe bashkëpunëtori i tij, Imeri – pritet t’i përfundojë në tetor të 2021-ës.

“Alstom” fitoi rreth 12 milionë euro nga tenderët publikë më 2018 dhe 2019

Kompania e përfaqësuar nga Arbër Seferi ka fituar ndër vite edhe shumë kontrata të tjera publike nga Korporata Energjetike e Kosovës.

“Alstom Power Service” është renditur në mesin e firmave që ka përfituar më së shumti nga tenderët e Prokurimit Publikë.

Vetëm gjatë dy viteve të fundit kjo ka marrë mbi 12 milionë euro nga KEK-u përmes tenderëve publikë, shkruan Gazeta Insajderi.

Më 2019 “Alstom” i ka ‘përvetësuar’ katër tenderë nga ndërmarrja e prodhimit të energjisë elektrike. Vlera e përbashkët e tyre ka shkuar mbi tetë milionë euro.

2018-ta ka qenë me më pak fitime për biznesmenin nga Peja.

Ai ka nënshkruar plus katër kontrata të tjera me KEK-un, por shumë e tyre ka qenë për 4 milionë euro më e ulët sesa në vitin 2019.

Back to top button