Lajme

“Ndërmarrje e përbashkët kriminale”, kush i kishte përdorur këto fjalë të rënda kundër Thaçit më 2010

Deklarimet e djeshme të ushtruesit të detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, rreth udhëtimit të presidentit Hashim Thaçi dhe dyshimeve se mund ta ketë sjellë Behgjet Pacollin në Kosovë, kanë çuar drejt një përplasje mes kreut të shtetit dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Presidenti Thaçi gjatë një lidhje direkte në Tv Dukagjini në emisionin “Debat”, ka mohuar ta ketë sjellë Pacollin në Kosovë derisa Sveçlën dhe partinë të cilën drejton Kurti i kishte cilësuar si ‘ndërmarrje kriminale’.

Një gjuhe të tillë të presidentit kishte zgjedhur t’i kundërpërgjigjej Kurti, duke e quajtur Thaçin si ‘kalama’ dhe duke e ftuar për një përballje televizive. Pas këtyre fjalëve një deputet i LDK’së Haxhi Avdyli reagoi duke thënë se Thaçi e hupi kontrollin ndërsa Haki Abazi i VV’së tha se fjalori i tillë është i papërgjegjshëm dhe kërcënues.

Por cili është kuptimi i togë fjalëshit “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, dhe kush e kishte përdorur atë pikërisht kundër Presidentit Thaçi.

Ndërmarrje e përbashkët kriminale (JCE- Joint Criminal Enterprise) është një doktrinë ligjore që është shfrytëzuar nga tribunalet për krimet e luftës për të lejuar ndjekjen e anëtarëve të një grupi për veprimet e grupit. Kjo doktrinë konsideron secilin anëtarë të një grupi të organizuar se ka përgjegjësi individuale për krimet e kryera brenda planit të përbashkët të grupit. (Wikipedia).

Një doktrinë e tillë është përdorur nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë për përndjekjen e liderëve politik dhe ushtarak për krimet masive të luftës, përfshirë dhe gjenocidin, të kryera përgjatë viteve 1991-1999.

Në diskursin politik për herë të parë e kishte përdorur, ish-deputeti, Ilir Deda, në një intervistë për “The Economist” teksa kishte folur për korrupsionin në Kosovë gjatë qeverisjes në atë kohë të Hashim Thaçit si kryeministër.

Deda në vitin 2010 në cilësinë e drejtorit të Institutit KIPRED kishte cilësuar qeverinë e drejtuar nga Hashim Thaçi si “Ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

Një shprehje të tillë Deda e kishte përdorur edhe në vitin 2013 në një intervistë për Gazetën Express, duke e cilësuar Thaçin si drejtues të “korporatës kriminale në Kosovë”.

“Të gjithë në Kosovë po i shohin efektet e ndërmarrjes së përbashkët kriminale, e cila është në Qeveri të Republikës së Kosovës. Z. Thaçi është në krye të kësaj korporate kriminale në Kosovë. Dhe, kjo është ajo që kam thënë edhe më vonë, se kjo është tragjedia nacionale e Kosovës, që shteti jonë është i zaptuar në momentet kyçe të shtetndërtimit. Për këtë arsye kemi marrëveshje çfare po bëhen. Për këtë arsye s’kemi as rrugë të hapur drejt BE-së, sepse Kosova nuk e ka perspektivën e qartë europiane. Për këtë arsye s’jemi as afër anëtarësimit në Kombet e Bashkuara. Jemi duke mbetur të izoluar. Të përçarë brenda, institucionalisht dhe politikisht, nëpërmjet Prishtinës dhe Mitrovicës Veriore. Dhe, në qoftë se kjo rrugë vazhdon, atëherë Kosova më shumë do t’i ngjajë Tajvanit se sa një shtetit të BE-së”, kishte thënë Deda, në një intervistë, për Gazetën Express në vitin 2010. Një deklaratë e tillë e Dedës kishte nxitur reagime të shumëta kundër tij nga bashkëpunëtorët e atëhetshem të Kryeminstrit Thaçi

Burimi

Back to top button