Lajme

Ngjarje të kobshme në vend, VRASJE E VETËVRASJE, 6 të vdekur brenda 3 orësh (DETAJE)

Dita e sotme mund të konsiderohet një ditë e errët për vendin tonë. Një bilanc tragjik përsa i përket viktimave, kësaj here jo nga covid-19. Brenda tre orëve kanë humbur jetën gjashtë persona, katër të vrarë e dy të vetëvrarë. Mesa duket krimi “nuk pyet” për karantinë.

Këmbana e alarmit filloi sot pasdreke, me dy të vrarë në fshatin Lalm i Vjetër, në qytetin e Lezhës. Bëhet fjalë për Preng Simonin dhe Kol Murrani, 56 dhe 58 vjeç. Ky i fundit ishte rapsod i njohur në qytetin e Lezhës dhe më gjerë në Mirditë.

Dy të ndjerët janë gjetur nga djali i një prej viktimave, i cili ka lajmëruar policinë. Ngjarja ka ndodhur në një vend kodrinor në fshatin Lalm i Vjetër. Mësohet se Simoni dhe Murrani kanë dalë që në mëngjes të dy së bashku, për të shkuar në shtëpitë e vjetra.

Zona në të cilën ata janë gjetur të vdekur, është krehur disa herë nga policia për shkak të mbjelljes së kanabisit. Mister mbeten rrethanat dhe shkaqet e vdekjes së tyre, ndërsa policia paraprakisht bën me dije se ata mund të kenë humbur jetën si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit.

Njoftimi i Policisë

Në afërsi të fshatit Lalm i Vjetër, Lezhë, në një kodër, janë gjetur të pajetë, shtetasit P. S. dhe K. M., rreth 60 vjeç, të cilët dyshohen se mund të kenë humbur jetën si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit. Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni lidhur me ngjarjen. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për të përcaktuar shkakun e rrethanat e ngjarjes.

Polica ka gjetur afër vendit të krimit edhe një motorr që dyshohet se i përket autorit të krimit, ndërsa në zonë është gjetur edhe një korrëse bari.

***

Pak minuta pas ngjarjes së Lezhës, u raportua një tjetër ngjarje e rëndë, kësaj herë në qytetin bregdetar të Durrësit.

Dy vëllezër kanë humbur jetën, pasi u ndoqën rreth 1 km dhe u është bërë pritë nga disa persona të panjohur (të paktën 2), të cilët kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi drejt tyre. Në vendngjarje janë gjetur shumë gëzhoja (55), madje janë gjetur dy lloje të ndryshme gëzhojash, që lë të kuptohet se janë përdorur dy armë.

Vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia kanë mbetur të vdekur në vend, brenda makinës së tyre Golf 6, me targa AA716ZZ. Mësohet se dy vëllezërit kishin disa biznese, pikë servisi BV Auto, dhënie makinash me qira dhe exchange. Pista kryesore ku po heton policia është ajo e larjes ë hesapeve për shkak të borxheve, që kanë lidhje me biznesin e vëllezërve, pikërisht me biznesin e makinave.

Atentatorët nuk janë zbuluar ende, por policia thotë se ka shumë mundësi të jenë larguar me shpejtësi drejt Fushë-Krujës. Janë ngritur postblloqe në zonat përreth Durrësit. Deri më tani policia ka shoqëruar 30 persona, dy prej tyre me pranga. Në terren kanë zbritur FNSH dhe forcat RENEA, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu.

Njoftimi i policisë

‘Më datë 27.04.2020, rreth orës 16:40, tek vendi i quajtur “tregu i makinave” , Shënvlash, në rrethana ende të paqarta kanë humbur jetën në një mjet dyshohet si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit shtetasit V.H dhe M.H (vëllezër ). Forca të shumta policie po krehin zonën ndërkohë që në hyrje daljet kryesore dhe rrugët dytësore forcat e policisë po ushtrojnë kontrolle të shumta të personave dhe automjeteve që lëvizin në këtë zonë.
Në ndihmë të Policisë Vendore kanë mbritur Forcat Speciale Renea dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës. Është ngritur menjëherë një grup i posaçëm hetimor i përbërë me Specialistët të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe Specialistë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe nën drejtim e Prokurorisë vijon puna për fiksimin e çdo prove materiale që do çonte në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”.

***

Si të mos mjaftonin katër vrasje brenda dy orëve, dy ngjarje të tjera kanë tronditur qarkun e Elbasanit dhe mbarë vendin.

Shumë pranë qytetit të Elbasanit, biznesmeni i një exchange, Artan Sanço, është gjetur nga familjarët e tij i vetëvarur në tualetin e shtëpisë. Ai kishte fiksuar në tavanin e banjës një kabëll antene dhe kishte mbytur veten.

Pak minuta më pas u raportua për një tjetër vetëvrasje. Një 28-vjeçar, djali i një biznesmeni nga Prrenjasi dhe njëkohësisht baba i një foshnje 6 muajshe, u gjet i varur në masivin pyjor të Stravajt. Bëhet fjalë për 28-vjeçarin Flori Albrahimi. Mbetet mister vetëvrasja e dy personave në Elbasan dhe Prrenjas.

Njoftimi i policisë

Elbasan/ Informacion paraprak

Në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan, në banesën e tij është gjetur i vetëvarur pa shenja jete shtetasi A.S., 54 vjeç.

Nga këqyrja paraprake e kufomës nuk janë konstatuar shenja dhune përveçse ato të shkaktuara nga vetëvarja. Ndërkohë në fshatin Stravaj , Librazhd, është gjetur i vetëvarur pa shenja jete shtetasi F.A., 30 vjeç.

Nga këqyrja paraprak e kufomës nuk janë konstatuar shenja dhune përveçse shenja të shkaktuar nga vetëvarja . Grupi hetimor po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rregullave të ngjarjes.

Burimi

Back to top button