Lajme

Një psikologe kishte rekomanduar me shkrim lirimin e Agonit nga karantina

Dy ditë pas vdekjes së 26 vjeçarit nga Livoçi i Epërm i Gjilanit në konviktet e Qendrës së Studentëve në Prishtinë, e shndërruar në karantinë për kosovarët e kthyer nga shtete të ndryshme gjatë kohës së pandemisë, dalin detaje të reja, të cilat ngrenë dyshime të forta për përgjegjësinë e institucioneve kompetente në neglizhimin e rastit të tij, që përfundoi tragjikisht.

Një burim i gazetës Objektiv brenda Qendrës së Studentëve, tha sot se një psikologe kishte bërë rekomandim me shkrim për lirimin e Agon Musliut nga karantina, shkaku i gjendjes së rënduar psikologjike të tij.

Duke folur në kushte anonimiteti, burimi i gazetës Objektiv ka shpjeguar se që prej ardhjes së tij në Qendrën e Studentëve, tashmë i ndjeri Agon Musliu, kishte kërkuar me ngulm të lirohej nga karantina.

Sipas këtij burimi, gjendja psikologjike e 26 vjeçarit dukej e rënduar, ndërsa ai ngulmonte se kishte edhe probleme shëndetësore me mëlçinë, për çka kishte prova se ishte trajtuar.

Pavarësisht përpjekjeve të gazetës Objektiv për të konfirmuar pretendimin e burimit të saj për ekzistencën e një rekomandimi me shkrim nga një psikologe e angazhuar për trajtimin e të karantinuarve në Qendrën e Studentëve, Ministria e Shëndetësisë dhe as institucionet tjera të përfshira në menaxhimin e situatës së pandemisë në Kosovë, nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.

Por, ekzistenca e një rekomandimi me shkrim për lirimin e tashmë të ndjerit nga karantina është konfirmuar tërthorazi nga shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi, mbrëmë gjatë një emisioni televiziv në T7.

Ndryshe nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ushtruesi i detyrës së Ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dy shtyllat përgjegjëse për menaxhimin e karantinës, të cilët deri tani kanë mohuar se ka pasur ndonjë indikacion për problemet shëndetësore të Agom Musliut, bashkë-partiaku i tyre, Rexhep Selimi, ka konfirmuar se institucionet janë njoftuar me problemet shëndetësore të të riut tashmë të ndjerë.

“Problemet për shëndetin e tij mendor kanë ardhur shumë vonë në qendrën operative emergjente në Prishtinë. Në ora 17:03 minuta ka ardhur e-mail-i për problemet mendore që i kishte personi. Ishte shumë vonë. Në ora 17:30 kishte ndodhur rasti”, ka thënë Selimi.

Por, kjo duket se nuk është prova e vetme e problemeve shëndetësore të Agon Musliut, e prezantuar prej tij, familjes së tij, komunës së Gjilanit dhe Ambasadës së Kosovës në Gjermani, që është neglizhuar nga qeveria në detyrë e Kosovës, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë.

Një listë me emrat e të kthyerve nga Gjermania të shtunën e javës së kaluar, e hartuar nga Ambasada e Kosovës në Gjermani, konfirmonte se Agon Musliu kishte prezantuar problemin e tij shëndetësor me mëlçinë.

Por, kjo nuk është marrë në konsideratë nga institucionet në Prishtinë. Madje, Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, kishte mohuar kategorikisht se kishte njoftim për shqetësimet shëndetësore të Agon Musliut.

Por, kur lista u publikua nga mediat, Ministria që ai udhëheqë e pranoi ekzistencën e asaj liste, ndërsa theksoi se ajo ishte përpiluar nga Ambasada e Kosovës në Gjermani, duke konfirmuar se përmbajtja e asaj liste nuk ishte marrë në konsideratë nga institucionet në Prishtinë, pavarësisht faktit që ishte përpiluar nga një institucion i Kosovës, siç është Ambasada në Gjermani.

Madje, për institucionet në Prishtinë nuk ka qenë relevant as një dëshmi e lëshuar nga institucionet lokale të Komunës së Gjilanit, e cila konfirmonte problemet shëndetësore të Agon Musliut.

Një punonjës i Qendrës së Studentëve dhe një bashkë-udhëtar i Agon Musliu, kanë dëshmuar në kushte anonimiteti se gjendja psikologjike e të ndjerit ka qenë shumë e rëndë.

Babai i tij, Blerim Musliu, ndërkaq ka shpjeguar rëndimin e gjendjes shëndetësore të Agonit gjatë qëndrimit në Gjermani. “Djali im, Agoni, ka shkuar në Gjermani në fillim të muajit mars. Me shumë mund dhe me ndihmën e disa familjarëve dhe miqve, kemi arritur ta dërgojmë atje për studime master, sepse ka qenë student i shkëlqyeshëm në Prishtinë. Pandemia që e ka goditur edhe Gjermaninë e ka detyruar atë të izolohet. Ky izolim ia ka rënduar gjendjen shëndetësore. Ai mërzitej shumë dhe kohët e fundit këmbëngulte të kthehej në Kosovë”, ka thënë babai i tij, Blerimi.

Bazuar në të dhënat e deritashme të lëshuara nga Policia e Kosovës, por edhe nga dëshmitarët në Qendrën e Studentëve, 26 vjeçari Agon Musliu, ka rënë nga kati i pestë i konviktit numër 7 të Qendrës së Studentëve, ku ishte ngujuar në karantinë.

Institucionet kompetente kanë konfirmuar se kanë filluar hetimet për vdekjen tragjike të Agon Musliut, të dielën pasdite. Por, deri tani nuk është bërë publik rezultati i autopsisë.

Vdekja e tij ka tronditur thellë Kosovën, ndërsa ka ngjallur edhe debatin për mënyrën e menaxhimit të pandemisë nga institucionet e vendit.

Denoncimi i deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadriaj, për lirimin nga karantina të të ardhurve nga jashtë Kosovës mbi bazën e përkatësisë partiake, kishte ngjallur debat disa ditë më përpara.

Në disa media, ndërkaq sot janë publikuar edhe video që pretendojnë të dëshmojnë lirimin e personave të ndryshëm nga karantina, në shpërputhje me rregullat.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se që prej vdekjes tragjike të Agon Musliut, duke menduar dorëheqjen. Por, në anën tjetër ka shtuar se tashmë ai e ka prioritet zbardhjen e rastit tragjik. Ai, sikurse edhe bashkë-partiakët e tij në Lëvizjen Vetëvendosje, kanë thënë se po politizohet rasti.

Ndërsa, partitë politike opozitare, kanë kërkuar me ngulm dorëheqjen e tij dhe të ushtruesit të detyrës së Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, duke argumentuar se qëndrimi i tyre në detyrë komprometon hetimet për zbardhjen e rastit. /Objektiv/

Burimi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button