Lajme

PAMJE TË RËNDA: Momenti kur trupat e pajetë të dy vëllezërve Haxhia nxirren nga makina, ‘Golfi’ i zi i bërë ‘shoshë’ nga plumbat

Qyteti i Durrësit u trondit pasditen e sotme nga ekzekutimi me breshëri plumbash i dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, në zonën e Shënavlashit pranë tregut të shitjes së makinave.

Në pamjet që ka siguruar newsbomb.al, duket momenti kur trupat e pajetë të dy vëllezërver Haxhia nxirren nga makina tip Golf 6 dhe transportohen me autoambulancë drejt morgut. Menjëherë pas vrasjes së Besmir dhe Viktor Haxhisë, në Durrës kanë zbarkuar forca të shumta policia si dhe Forcat Speciale RENEA, me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm Ardi Veliu.

Besmiri ishte i martuar dhe kishte fëmijë. Ai njihej si Miri i Kolës. Ndërsa vëllai tjetër Viktori, ishte avokat dhe anëtar i Dhomës së Avokatisë. Ata ishin me origjinë nga Puka dhe jetonin në Spitallë. Dy vëllezërit drejtorin disa biznese, një pikë servisi makinash BV Auto, një pikë dhëniesh makinash me qera dhe një exchange.

Ndërkohë, përsa i përket dinamikës së vrasjes mësohet se mjeti tip Golf 6 me të cilin lëviznin dy vëllezërit Haxhia është ndjekur fillimisht nga atentatorët dhe është qëlluar me breshëri plumbash nga dy armë të ndryshme. Fillimisht, atentatorët i kanë parakaluar nga krahu i majtë dy vëllezërit dhe kanë nisur të qëllojnë me breshëri, raporton newsbomb.al.

Mirëpo, për tu siguruar që Besmir dhe Viktor Haxhia kishin ndërruar jetë, atentatorët kanë qëlluar me breshëri plumbash dhe nga pjesa ballore, ku siç shihet vetëm në xhamin e përparmë të mjetit “Golf 6” ka mbi 12 qitje kallashnikovi.

Në total në vendngjarje grupi i hetimit ka konstatuar 55 gëzhoja, çka tregon për natyrën e krimit të rëndë që ka tronditur Durrësin.

Breshëria e plumbave dhe zhurma me madhe në zonën e tregtarëve të makinave të përdorura ka alarmuar banorët dhe tregtarët e tjerë të cilët menjëherë kanë telefonuar policinë. Sipas kësaj të fundit atentatorët janë larguar me shpejtësi në drejtim të Fushë-Krujës dhe kërkimi për identifikimin dhe kapjen e tyre vazhdon. /NEWSBOMB.AL.

Burimi

Back to top button