Lajme

Postimi i fundit i Sveçlës si ministër: Koha të cilën e kaluam ishte e shkurtër!

Ish u.d i ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka shkruar një postim në llogarinë Facebook, me rastin e largimit të tij nga pozita që mbante, pas zgjedhjes së qeverisë së re.

Ai ka falënderuar qytetarët, për punën dhe sukseset e përbashkëta, veçmas ndaj luftës së pandemisë COVID-19.

Ndërsa, ka shtuar se ndryshimet politike me vete sjellin edhe paqartësi, në nivelin shoqëror e administrative.

Ky është postimi i plotë i tij:

Të nderuar kolegë dhe bashkëpunëtorë,

Koha të cilën e kaluam bashkë ishte e shkurtër. Megjithatë, rrethanat e krijuara që kërkonin domosdoshmërisht intensitet të shtuar në punën tonë, ndikuan që koha e kaluar në zyret e Ministrisë të jetë shumë më e gjatë se ajo e zakonshme. Puna që kemi bërë bashkë na ka bërë të lodhemi por ka bërë njëkohësisht të shënojmë suksese të përbashkëta. E këto të arritura janë borxh yni ndaj vendit tonë.

Falë angazhimit tuaj në luftimin e pandemisë Covid-19, sot mund të themi me plot zë që Republika e Kosovës ka statistikat pothuajse më pozitive në rajon. Ju falenderoj përzemërsisht për vullnetin, përgjegjësinë dhe energjinë e dhënë gjatë këtyre muajve të vështirë të përballjes me virusin corona.

Ju faleminderit për qëndrimin tuaj pozitiv ndaj punës. Me këtë keni bërë çdo sfidë më lehtë të përballueshme e çdo ndryshim më lehtë të implementueshëm. Ju falenderoj që e keni pasur të qartë që përmes pranimit të përgjegjësisë ndaj çdo detyre, keni marrë mbi supe përgjegjësinë e suksesit tuaj.

Ndryshimet politike me vete sjellin edhe paqartësi, në nivelin shoqëror e administrativ. Ndryshimet e paqartësitë, çfarëdo qofshin, nuk duhet të ndikojnë në vetëdijen e përgjegjësinë institucionale. Shpresoj që do vazhdoni të trajtoni detyrat e punës sikur të ishin të juaja personale e të mos ndaleni përballë asnjë vështirësie. Vazhdoni ta jepni kontributin tuaj në ngritjen e kapaciteteve të institucionit, më se të nevojshme e të dobishme për vendin tonë.

Ju uroj shëndet e suksese të mëtutjeshme në punën tuaj.

Burimi

Back to top button