Lajme

Publikohet dokument marrëveshja e koalicionit LDK-Nisma

Është publikuar dokument-marrëveshja e koalicionit qeverisës mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Nismës Socialdemokrate (NSD), e cila u nënshkrua sot më herët nga drejtuesit e këtyre subjekteve politike.

Ashtu siç ka raportuar mbrëmë gazeta Objektivi, të dy palët janë pajtuar që Nismës t`i takojnë dy ministri, Ministra e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe ajo e Tregtisë dhe Industrisë.

Mustafa dhe Limaj janë dakorduar që Nismës t’i takojë edhe posti i zëvendëskryeministrit, derisa, zëvendësministrat do të ndahen në mënyrë proporcionale bazuar në peshën politike të subjekteve.

Dy partitë janë dakorduar që emërimi dhe zëvendësimi i ministrave, zëvendësministrave dhe zyrtarëve tjerë, bëhet vetëm me propozimin e kreut të partisë, në këtë rast të Limajt.

Aty theksohet se shkarkimi i tyre mund të bëhet vetëm pas dakordimit të kryetarëve të partisë në konsultim me kryeministrin.

”LDK dhe NISMA Socialdemokrate pajtohen qe te mos perkrahin propozimet te cilat nuk jane te miratuara nga Qeveria dhe per te cilat nuk ka marreveshje paraprake nga te dy grupet parlamentare”, shkruhet në marrëveshje, ku bëhet e ditur se partitë që nënshkruan koalicionin nuk do të përkrahin mocionet e iniciuara nga palët tjera në parlament të Kosovës.

I propozuari për kryeministër, Avdullah Hoti sipas marrëveshjes ka të drejtë të shkarkojnë ministrat e Nismës, në rast se gjatë mandatit ata sfidohen me proces të drejtësisë, pra i konfirmohet ndonjë aktakuzë apo ftohet në proces gjyqësor.

Burimi

Back to top button