Lajme

Qytetarët vazhdojnë të mos respektojnë masat e Qeverisë: Ndër ta edhe punonjës në institucione shtetërore

Derisa Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar masa të reja më rigoroze që do të hynë në fuqi nga nesër më 15 prill, shumë qytetarë janë duke anashkaluar edhe masat e vendosura më parë, që vazhdojnë të jenë në fuqi edhe kësaj dite, ndër ta edhe zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Zyrtari korrektues me inicialet H.V., është suspenduar nga puna për shkak të shkeljes së Kodit të Etikës në Shërbimin Korrektues të Kosovës, gjë që është bërë e ditur nga zyra për komunikim me publikun e këtij institucioni.

Largimi i përkohshëm nga puna i këtij punëtori është bërë për shkak se i njëjti ka postuar në Facebook një video live, në të cilën shihet së bashku me disa persona të tjerë duke mos respektuar masat e distancës dhe ka vepruar në kundërshtim me orarin e lëvizjes.
Në njoftimin e tyre, SHKK thonë se me këtë veprim, i njëjti ka treguar mungesë disipline duke rrezikuar institucionet korrektuese me përhapjen e pandemisë brenda tyre.

Gjatë ditës së sotme janë parë një numër i madh i qytetarëve edhe në Tregun e Gjelbër në Prishtinë, duke u furnizuar me produkte ushqimore.

Disa prej këtyre qytetarëve të cilët kanë dalë të blejnë kryesisht gjëra ushqimore meqë veprimtarinë e tjera janë të mbyllura, nuk janë duke respektuar masat e Qeverisë, ndër të cilat është edhe mbajtja e distancës deri në 2 metra largësi nga njëri tjetri.

Ndërkaq, vetëm në 24 orët e fundit është raportuar për 55 persona të cilët kanë vepruar në kundërshtim me dispozitat shëndetësore gjatë pandemisë Covid-19.

Vetëm në Prizren janë regjistruar 10 raste të tilla, ku 13 persona kanë shkelur këto rregulla, pavarësisht situatës që ka krijuar koronavirusi në vend.
Raste të shumta janë bërë të ditura, se kanë ndodhur edhe në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë të Jugut, ndërkaq në atë të Veriut, Gjakovë e Gjilan më pak.

Këto raste më së shumti kanë të bëjnë me hapjen e bizneseve, gjë që është e ndaluar me vendim të institucioneve, e disa të tjerë janë zënë duke vozitur gjatë orës policore, duke mos respektuar vendimin për lirinë e lëvizjes së lirë.

Policia e Kosovës përmes një tabele të përpiluar më datë 14 prill, ka njoftuar për të gjitha rastet që kanë të bëjnë me mosveprimin sipas disozitave shëndetësore në këtë gjendje në të cilën ndodhemi. /gazetametro.net

Burimi

Back to top button