BoteKosove

Shifra nga aeroporti: Mësohet numri i anglezëve që ishin në Kosovë për ta shikuar ndeshjen

Ndeshja mes Kombëtares së Kosovës dhe Anglisë në ‘Fadil Vokrri’ të dielën, solli në vend një numër të madh të tifozëve anglezë. Ku sipas statistikave të aeroportit të Prishtinës, mbi 600 tifozë kishin ardhur vetëm me aeroplan dhe direkt nga Anglia, shkruan Gazeta Metro.

Java e kaluar ishte e stërmbushur me mysafirë dhe turist anglezë të cilët kishin ardhur për ta ndjekur lojën e kombëtares së tyre, me atë të Kosovës.

Anglezët mbetën të habitur nga mikpritja që ishte në Kosovë, ku gjithashtu edhe çmimet e lira dhe vendet ekonomike, atyre ju lanë shumë përshtypje të mirë.
Parulla ‘Welcome and Respect’, që u vendos në rrugët e Prishtinës dhe mikpritja e ngrohtë, bëri që shumë media botërore të thurin lavde për këtë gjest të kosovarëve.

Zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’, Valentina Gara, në një prononcim për Metron, ka treguar numrin e udhëtarëve anglezë që kanë fluturuar direkt nga Londra për në Prishtinë, javën e kaluar.

“Në javën e kaluar nga Londra për në Prishtinë, kanë fluturuar 647 udhëtarë. Më 11 nëntor nga Londra direkt në Prishtinë kanë arritur 117 udhëtarë, më 15 nëntor, 211 udhëtarë, ndërsa më 17 nëntor përmes linjës së rregullt kanë arritur edhe 119 të tjerë”, ka thënë Gara.

Tutje ajo ka treguar se edhe pak orë para se të fillonte ndeshja, ishte edhe një numër i tifozëve anglezë që kishin ardhur në Kosovë.

“Edhe të dielën një aeroplan ka arritur vetëm me tifoz 140 udhëtarë”, ka thënë Gara për Metron.
Ndërkaq sipas të dhënave të policisë së aeroportit, bëhet e ditur se rreth dy mijë tifozë kanë hyrë në Kosovë nga Anglia përmes linjave të ndryshme ajrore si nga Tirana dhe Shkupi. Por ka pasur edhe tifozë që kanë ardhur me vetura dhe autobusë.

Për tifozët anglezë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ ishin ndarë rreth 650 bileta nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), numër ky që nuk ishte i mjaftueshëm, për tifozët anglezë të cilët ishin të pranishëm në Kosovë dhe që donin ta shihnin ndeshjen.

Ndeshja Kosovë-Angli është njëra ndër ndeshjet më historike të shtetit që është zhvilluar në ‘Fadil Vokrri’.

Mikpritja që i bënë kosovarët anglezëve dhe atmosfera mahnitëse në stadium, u bë lajm në mediat kryesore të botës, duke lavdëruar kosovarët për mikpritje dhe kulturë të jashtëzakonshme.

Back to top button