Lajme

‘Shkarkime’: Hoti paralajmëron rishikimin e Bordeve që Kurti i mbushi me njerëz të VV’së

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se do të shikojnë me kujdes të gjitha vendimet që ka marrë Qeveria Kurti, shkruan Gazeta Metro.

Nga Qeveria Kurti janë shkarkuar Borde të Ndërmarrjeve Publik dhe në to janë vendosur njerëz të Lëvizjes Vetëvendosje, kjo u kritikua shumë nga shoqëritë civile dhe analistët e njohur.

E kryeministri Hoti ka paralajmëruar se do të shikojnë të gjitha vendimet e marra nga Qeveria Kurti, pasi disa nga vendimet siç po thotë ai kanë qenë të motivuara politikisht.

“Tash, siç ju thash dhe më herët, është java e parë e punës time. Nuk jemi këtu për të shkarkuar njerëz, por do të analizojmë me kujdes të gjitha vendimet që janë marrë, për t’u siguruar që janë në përputhje me ligjin. Është evidente që disa nga këto vendime kanë qenë edhe të motivuara politikisht, siç ka qenë rasti që seanca ka qenë duke u zhvilluar në kuvend për zgjedhjen e qeverisë së re, ndërkohë qeveria në detyrë ka mbajtur mbledhje dhe ka shkarkuar borde dhe njerëz. Do t’i analizojmë, çdo gjë do të bëhet në përputhje me ligjin”, tha Hoti për REL.

Hoti po ashtu ka mirëpritur rolin aktiv të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në negociatat me Serbinë, duke thënë se kjo nuk do të thotë dy lloj negociatash, por që asnjëra nuk bën pa tjetrën.

Po ashtu kryeministra nga radhët e LDK’së tha se nuk është i sigurt nëse marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë mund të arrihet para nëntorit, kur pritet të mbahen zgjedhjet në SHBA.//gazetaprishtina.info

Burimi

Back to top button