Lajme

Thaçi ia jep LDK-së mandatin për krijimin e qeverisë

Burime të besueshme të gazetës Objektiv brenda kabinetit të tij, kanë konfirmuar të hënën se nesër (e martë), Presidenti i Kosovës. Hashim Thaçi, do t’ia jap Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), mandatin për krijimin e qeverisë së re.

“Po, Presidenti Thaçi do t’ia jap LDK-së mandatin për krijimin e qeverisë. Këtë do ta bëj zyrtarisht nesër (të martën), meqë Lëvizja Vetëvendosje (LVV) refuzoi ta marrë mandatin për krijimin e qeverisë së re”, ka thënë ky burim ekskluzivisht për gazetën Objektiv të hënën.

Sipas këtij burimi, vendimi i Presidentit Thaçi për t’ia dhënë mandatin LDK-së është bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, të datës 1 korrik 2014 dhe është mbështetur nga mendimet e zyrës ligjore, njohësve të Kushtetutës së Kosovës si dhe është konsultuar me partnerët strategjik të Kosovës.

Çështjen e ngërçit institucional të krijuar në Kosovë pas rrëzimit të qeverisë, Presidenti Hashim Thaçi, e ka diskutuar javën e kaluar në një takim edhe me ambasadorët e vendeve të QUINT (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar Gjermania, Franca dhe Italia).

Ndërkohë, LDK-ja që ishte pjesë e koalicionit qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) dhe që inicioi rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, ka vendosur të provoj krijimin e një qeverie të re, nëse LVV-ja, si parti fituese e zgjedhjeve të 06 tetorit 2019, dështon ta bëjë një gjë të tillë.

Kryetari i LDK, ish-kryeministri Isa Mustafa, ka konfirmuar se ka marrë mbështetjen e shumicës absolute të anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm (KP) të kësaj partie si dhe miratimin e kryesisë së ngushtë, për një koalicion të mundshëm me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) të Ramush Haradinajt, Nismën Socialdemokrate (Nisma) të Fatmir Limajt, Aleancën Kosova e Re (AKR) të Behgjet Pacollit dhe partitë që përfaqësojnë pakicat etnike në Kuvendin e Kosovës.

Të gjitha këto parti janë shprehur të gatshme të bëhen pjesë e një koalicioni qeverisës, që do të udhëhiqej nga LDK-ja.

Nëse do të arrihej, ky koalicion do të kishte potencialisht mbështetjen e 68 deputetëve, 7 më shumë se minimumi prej 61 votash për krijimin e një shumice parlamentare.

Kundër këtij formati është shprehur kryetarja aktuale e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka udhëhequr listën e LDK-së në zgjedhjet e 06 tetorit 2019.

Në mbështetje të saj ka dalë publikisht edhe një deputet i LDK-së, Haxhi Avdyli, por mund të ketë edhe të tjerë që mund të mos e votonin një koalicion të LDK-së me AAK-në, Nisma-n, AKR-në dhe pakicat.

Ndërsa, LVV-ja e Albin Kurtit dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e Kadri Veselit, sipas kësaj formule, do të mbeteshin në opozitë.

Por, procesi i krijimit të qeverisë së re, duke shmangur zgjedhjet e reja, kishte hasur në vështirësi, për shkak se partia fituese e zgjedhjeve të kaluara, LVV-ja, edhe pse e ka marrë mandatin për krijimin e një qeverie të re nga Presidenti Hashim Thaçi, nuk ka kthyer ende asnjë marrëveshje.

LVV-ja ndërkaq ka paralajmëruar se do ta kundërshtoj krijimin e një qeverie të re, ndërsa ka insistuar që qeveria që është në detyrë, e udhëhequr nga kryetari i saj, Albin Kurti, ta qeverisë Kosovën deri pas përfundimit të pandemisë Covid-19.

LVV-ja insiston se nuk mund të krijohet qeveri e re pa zgjedhje të reja, ndërsa partitë tjera politike këmbëngulin se një gjë e tillë është e mbështetur në Kushtetutë.

Në një bashkëbisedim me gazetarë të huaj, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, citohet të ketë thënë se në rast krijimi të një qeverie të re duke anashkaluar zgjedhjet, në Kosovë mund të ketë destabilizim të situatës, duke paralajmëruar se partia e tij, LVV-ja, mund të mbështesë protestat e qytetarëve.

Edhe konstitucionalistët kosovarë janë ndarë në dysh sa i përket interpretimit të kësaj çështjeje.

Ata që mendojnë se mund të krijohet qeveria e re pa shkuar në zgjedhje i referohen Aktgjykimit të 1 korrikut 2014 të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila kishte interpretuar çështjen e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Kurse, ata që mendojnë se nuk mund të krijohet qeveri e re pa shkuar në zgjedhje, u referohen rasteve tjera në të cilat mocionet e suksesshme të mosbesimit ndaj qeverisë kishte prodhuar zgjedhje të jashtëzakonshme. /Objektiv/

Burimi

Back to top button