Lajme

Tre muaj qeverisje, Kurti iu drejtohet qytetarëve me një video-mesazh

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, iu është drejtuar qytetarëve me një video mesazh kur janë bërë tre muaj nga zgjedhja e qeverisë së udhëhequr nga ai.

Sipas Kurtit që nga tre shkurti, secila ditë ka qenë ditë e ndryshimit për Republikën dhe qytetarët.

“Por sigurisht edhe ditë e rezistencës për sistemin e vjetër që i shërbente një pakice të shoqërisë, edhe pse duket se ka kaluar shumë kohë me gjasë këto ngjarje që ndodhën për mua ende është i freskët entuziazmi i madh i gjashtë tetorit, gëzimi i njerëzve të çliruar nga një ankth i gjatë, ngazëllimi i rinisë, hovi i madh i mërgatës dhe shpresa që u zgjua në mbarë rajonin, se kur njerëzit bëhen bashkë bëjnë gjithçka të mundur”, tha Kurti.

Ai shtoi se gjashtë tetori është data kur ata bënë prerjen nga e kaluara e dhimbshme drejt një të ardhme të ndritshme,

“Prandaj dhe nuk mund të kthehemi mbrapa, le ta mendomë se bashku për një moment, vullneti masiv i qytetarëve me gjashtë tetor mezi arriti të bëhej realitet me tre shkurt dhe u tentua të mbytej me 25 mars. Pra në njërën anë kemi vullnetin për ndryshim të qytetarëve, dhe në anën tjetër ekzistencën që do vazhdimin e status kohës nga regjimi i vjetër. Kurrë nuk kam thënë se ndryshimi është i lehtë, por që ai është çdoherë i mundshëm. Ama kundërshtarët tanë që janë kundër ndryshimit e kanë më vështirë sesa ne, duan të ndërtojnë një makinë kohore që na kthen të gjithëve mbrapa, dhe vendin tonë mbrapsht në periudhën para gjashtë tetorit 2019. Unë nuk i kuptoj kundërshtarët tanë në përpjekjen e tyre absurde, mirëkuptoj ata për vështirësitë në të cilat ndodhen. Në më pak se tre muaj kemi ulur privilegjet dhe shpenzimet e qeverisë, kemi zvogëluar kabinetin qeveritar duke kursyer paratë, por edhe duke parandaluar abuzimin me pozita shtetërore, kemi zbritur pagat e qeveritareve, por nuk i prekëm rrogat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kemi larguar pozita sikurse koordinatorët nacional të cilët ishin krijuar për të rehatuar persona me rroga nga taksat e qytetarëve. Kemi filluar kthimin e ligjshmërisë në shërbimin e jashtëm, kemi kthyer mbrapsht ambasadorët, konsuj e të emëruar të tjerë që ishin emëruar në kuadër të nepotizmit, por edhe u mungonte dija e përvoja për të përfaqësuar shtetin.”, tha Kurti.

Kurti tha se vendi ynë ka nevojë për njohje nga bota, e jo për të dërguar familjarë që të njohin botën.

Back to top button