Lajme

Tre të rinjtë thyejnë karantinën për sherr, 27-vjeçari plagos me thikë dy vëllezërit

Ndonëse i gjithë vendi është në izolim total, kjo nuk i ka penguar tre të rinj të thyejnë karantinën dhe të përleshen me njëri-tjetrin. Ngjarja ka ndodhur në Sektorin Rinia në Durrës, ku dy prej protagonistëve kanë mbetur të plagosur.

Policia ka prangosur njërin prej tyre, i cili gjatë konfliktit kishte përdorur një mjet prerës duke dëmtuar dy të tjerët. Mësohet se është arrestuar i riu E. H., 27 vjeç, banues në Durrës, pasi ky shtetas, pas një konflikti për motive të dobëta ka goditur me thikë dy vëllezërit A. N., 26 vjeç dhe T. N., 30 vjeç, banues në Durrës.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë ndëshkuan me masë administrative 10.000 lekë, të dy vëllezërit që kishin shkelur orarin e karantinës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Burimi

Back to top button