Lajme

Vazhdon seanca, Kuvendi voton edhe një Ligj

Kuvendi votoi në parim plotësim-ndryshimet e Ligjit për deminimin humanitarNuk kalon projektligji për heqjen e homologimit
(E plotësuar) – ​Kuvendi votoi në parim plotësim-ndryshimet e Ligjit për deminimin humanitar

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 76 vota pro kanë votuar në parim plotësim-ndryshimet e Ligjit për deminimin humanitar. I njëjti u konsiderua i domosdoshëm për FSK-në pas ndryshimit të mandatit ligjor të tij dhe në bazë kësaj mbështetje i dhanë gjitha grupet parlamentare shqiptare.

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni duke arsyetuar projektligjin tha se qëllimi është inkorporomi i ndryshimeve ligjore të FSK-së.

Quni: Hartimi i këtij projektligji është iniciuar me qëllim të inkorporimeve të ndryshimeve ligjore

“Hartimi i këtij projektligji është iniciuar me qëllim të inkorporimeve të ndryshimeve ligjore, si rezultat të ndryshimit mandatit ligjor të FSK-së, por edhe me qëllim të riqëllimit të aktiviteteve të deminimit humanitar dhe strukturave përgjegjëse për këtë aktiviteteve”, tha ai.

Në emër të LVV-së, deputetja Fatmire Kollçaku- Mulhaxha tha se e mbështesin në parim projektligjin.

Kollçaku-Mulhaxha: Në parim e mbështesim këtë projektligj

“Në parim e mbështesim këtë projektligj brenda- dy leximeve do të japim kontributet tona”, tha ajo.

Mbështetje ky projektligj mori edhe nga partia tjetër opozitare PDK. Deputetja Ganimete Musliu tha se kontributin e tyre do të japin mes dy leximeve.

Musliu: Grupi parlamentar i PDK-së e mbështet në lexim të parë këtë projektligj

“Grupi parlamentar i PDK-së e mbështet në lexim të parë këtë projektligj dhe kontributin do të jap në mes të dy leximeve”, tha ai.

Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Hatim Baxhaku tha se ky projektligj është i domosdoshëm.

Baxhaku: Është i domosdoshëm harmonizimi i ligjit ekzekutues për deminim humanitar

“Është i domosdoshëm harmonizimi i ligjit ekzekutues për deminim humanitar. Prandaj LDK përkrah këtë projektligj”, tha ajo.

Seanca plenare po vazhdon me pika të tjera që janë në rend të ditës.

***

Projektligji për automjete që parasheh heqjen e homologimit për automjete nuk ka kaluar në Kuvend për mungesë vendimmarrje.

Vetëm Grupi Parlamentar i VV-së kanë mbështetur këtë projektligj. Derisa 30 deputet ishin pro, 10 kundër dhe 1 abstenim.

Për këtë pikë pati mjaft debat nga deputetët e grupeve parlamentare.

Pas këtij votimi, deputetët e Kuvendit kanë shkuar në pauzë deri në orën 14:35.

***

Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, njëherësh propozuesi për ndryshim plotësimin e Ligjit për Automjete tha se qëllimi i këtij projektligji është që të ndryshohet një nen në mënyrë që të hiqet obligimi për homologim për mjetet rrugore të reja të cilat kanë certifikatë konformiteti, si dhe për mjetet rrugore të përdorura që importohen nga vendet që kanë standarde të ngjashme me Republikën e Kosovës, siç janë vendet e BE-së, Zvicra dhe Norvegjia.

Murati tha se detyrimi për homologim të automjeteve rrugore të reja dhe të përdorura që importohen nga vendet që kanë standarde të ngjashme me Kosovën është vetëm një zhvatje që u bëhet qytetarëve, ndërsa tha se në emër të kësaj procedure qytetarët detyrohen të paguajnë rreth 4 milionë euro në vit.

Murati: Kemi të bëjmë me një zhvatje vjetore rreth 4 milionë eurove që u bëhet qytetarëve

“Kemi të bëjmë me një zhvatje vjetore rreth 4 milionë euro që u bëhet qytetarëve, e ato para shkojnë tek një kompani e vetme pavarësisht tentativave për manipulim të opinionit ose që është thënë që po bëhet decentralizim dhe janë mjete të cilat për më tepër shfrytëzohen pastaj edhe për të shkatërruar sektorët e tjerë për të krijuar konkurrenca të pabarabarta në sektorët e tjerë të ekonomisë. E janë madje mjete që përdoren edhe për të tentuar për të ndikuar në politikat tjera duke tentuar të blejnë politikanë e qeveri, e deputetët e të cilat pastaj na dërgojnë tek kontratat tjera siç është ajo me Z-Mobile e kjo me energji solare e manipulime e monopole të tjera. Me këtë projektligj këtij grupi i prehet një damar i kapjes së shtetit edhe fillon ç’kapja”, tha ai.

Murati tha se ata që do ta përkrahin këtë projektligj janë për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe të Republikës, ndërsa ata që janë kundër janë për të mbrojtur interesat e Devollit.

Por, mbështetje për këtë projektligj nuk kanë dhënë grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se ky projektligj nuk zgjidh asgjë, derisa tha se në këtë projektligj nuk ka mendim të Qeverisë, e pa të cilin tha se nuk do ta mbështesin.

Gashi: Ky ligj nuk zgjidh kurrgjë hiç

“Ky ligj nuk zgjidh kurrgjë hiç, e vërteta është kjo, në të njëjtën kohë është edhe një e vërtetë tjetër që ka një proces monopoli të një kompanie që sa vite, por ky projektligj nuk e zgjidh këtë problem dhe ky projektligj lenë hapësirë për interpretime të ndryshme dhe nuk i mbulon të gjitha çështjet. Ligji për sigurinë rrugore, ligji për automjete duhet të sjellët dhe të rishikohet në tërësi. Unë dhe Grupi Parlamentar i LDK-së kemi edhe një problem tjetër në këtë projektligj sepse ky projektligj nuk ka mendim të Qeverisë dhe ne përmbahemi nga votimi derisa Qeveria të vijë me propozim konkret se kur e bien projektligjin për automjete në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.

Ai tha se tregu i automjeteve në Kosovë duhet të liberalizohet, sidomos pjesa e homologimit dhe të vendosen kritere të sigurisë shtesë në rrugët.

Kritika për projektligjin ka pasur edhe deputeti i PDK-së, Bajrush Xhemajli, i cila tha se ky projektligj është shumë i varfër dhe se nuk ua merr homologimin atyre të cilët e kanë sot.

Xhemajli: Ky draft ligj është i varfër

“Ky draft ligj është i varfër dhe si i tillë nuk ua merr homologimin atyre të cilëve e kanë sot as nuk e heq monopolin, nuk rregullon as procedurat për dhënien e homologimit subjekteve përkatëse sepse prapë se prapë edhe në këtë projektligj mbetet në duar të ministrave të Infrastrukturës që pa ndonjë procedurë transparente t’ua jap autorizimet kompanive përkatëse, pastaj nuk hiqet taksa që merret për homologim nga kontrollimi teknik i rreth 350 mijë automjete, pra që ka kosto prej 1.8 milionë për qytetarët…Grupi Parlamentar i PDK mendon që ky vend duhet që mes sigurisë rrugore dhe interesit të qytetarëve ta hartojmë një ligj i cili rrit sigurinë dhe mbron interesin qytetarë. Ne jemi për një projektligj ku përfshihen të gjitha palët dhe të hartojmë një ligj që ul çmimin e homologimit, rrit transparencën, eliminon monopolin dhe nuk dëmton buxhetin e shtetit”, tha ai.

Edhe Arbër Tolaj nga AAK, ka pasur kritika për këtë projektligj, i cili tha se nuk është trajtuar në detaje.

Tolaj: Nuk është i trajtuar në detaje

“Nuk është i trajtuar në detaje, prandaj i bëjmë propozim dhe thirrje Qeverisë që të na ofrojë këtu në Parlament një projektligj konkret, të detajizuar dhe në këtë mënyrë të gjitha grupet Parlamentare të japin kontributin e tyre në realizimin e tij në praktikë”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button