Lajme

Vdekja e 26 vjeçarit, pse policia theu derën e dhomës ku qëndronte ai

Në emisionin e sotëm në “Drejtësia në Kosovë” u trajtuar vdekja e 26 vjeçarit nga Komuna e Gjilanit, Agon Musliut i cili vdiq pasi dyshohet se ra nga një lartësi prej katit të pestë të konviktit numër 7 në Qendrën e Studentëve e cila është duke funksionuar si karantinë me vendim të Qeverisë së Kosovës për personat e ardhur nga vendet e jashtme.

Kjo vdekje po trajtohet si e dyshimtë nga ana e Policisë së Kosovës ndërsa Drejtori i Hetimeve në Polici, në një intervistë ekskluzive ka treguar për ndërhyrjen në dhomën ku po qëndronte 26 vjeçari.

“Nuk i kam të gjitha detajet, por në dhomën ku ka qenë i riu ka qenë e mbyllur e cila është hapur me forcë dhe janë gjetur disa gjësende por edhe të dhëna, telefoni, mjete të tjera që ka pasur viktima me vete. Pra gjësendet janë gjetur në dhomën ku ka qenë i vendosur i ndjeri dhe disa gjësende janë gjetur gjatë ekzaminimit në QKUK”, shtoi ai.

Tutje drejtori Shillova tregon edhe se dera e dhomës është dashur të thehet pasi që ka qenë e mbyllur nga brenda.

“Është thy dera pasi që është marrë informacioni se personi nuk është lajmëruar dhe është gjetur i hedhur nga dritarja dhe kjo ka qenë arsyeja dhe e obligueshme për zyrtarët që të thyejnë derën dhe të konstatojnë se një derë e tillë ka qenë e mbyllur nga brenda. Është dashur patjetër që të hyhet dhe shikohet se cka ka në dhomën që është ekzaminuar”, shtoi ai.

Sipas Shillovës çdo provë, dëshmi apo dokument që është gjetur brenda dhomës së të riut nga Gjilani do të trajtohet.

“Deri në këtë fazë nuk kemi diçka konkrete që mundemi me nda me ju, po ajo që tregon është se ka qenë vetëm në dhomë dhe kjo mbetet të zbardhet më vonë beosj se edhe raporti i autopsisë do të sqaroj shumë dhe në bazë të të gjeturave do të ndihmoj njësinë e hetimeve dhe prokurorinë për zbardhjen e rastit”, shtoi ai.

Ekipi i DNK-së ka tentuar të flas me babain e Agon Musliut, Naimin por i njëjti për shkak se nuk ishte në gjendje të mirë pas ngjarjes tragjike kishte kërkuar që të mos flas më për këtë temë. Në anën tjetër në një intervistë për RTK-në ai kishte thënë se dokumentet e djalit të tij se nuk ishte mirë me shëndet i kishte parqitur edhe te zyrtarët në Aeroportin e Prishtinës.

“Tentova me një dokument që ky ka pasur djali im, para se me shku në Gjermani që ka pasur problem prej bubrekëve dhe duke i treguar edhe që ka shtres këta të aeroportit as që e kanë marrë parasysh, e kanë marrë e kanë dërgu në ferr, sepse ferr ishte për djalin tim”, ishte deklarata e Naim Musliut.

Për të sqaruar rrethanat e në lidhje me rastin, ekipi i DNK-së kishte udhëtuar drejt Gjilanit dhe Nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli ka thënë se kishin sinjalizuar Ministrinë e Shëndetësisë se 26 vjeçari Agon Musliu vuante nga depresioni dhe se të njëjtit do të duhet të iu bëhej një kontrollë urgjente.

“I kemi bërë të gjitha përgatitjet pas kthimit të tij në Prishtinë ne kemi njoftuar edhe Qendrën Operative dhe i kemi kërkuar që të lejohet prindi i tij të shkoj në aeroport, pas 30 minutave na është aprovuar kërkesa dhe prindi i tij mund të lëvizte deri në aeroport”, tha Ismajli për Drejtësia në Kosovë.

Ai shton tutje se babai i 26 vjeçarit nuk ishte lejuar të vizitonte djalin ndërsa shton se babai kishte treguar se zyrtarët e Qendrës së Studentëve nuk kishin pasur sjellje të mira me të.

Back to top button